Bota

OKB-ja paralajmëron për rrezikun e vdekjes nga uria në disa vende!

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, kritikon atë që e quan “financim i pamjaftueshëm kronik” i ndihmave humanitare në mbarë globin, pavarësisht nevojave në rritje për ndihma të tilla. Segmentit të Çështjeve Humanitare të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së, Guterres i tha:

Financimi i pamjaftueshëm kronik dhe nivelet rekorde të nevojave humanitare po e çojnë sistemin deri në pikën e thyerjes. Deri më tani, kur ka kaluar gjysma e vitit, janë marrë vetëm rreth 20% e fondeve të nevojshme për ndihma humanitare sipas Apelit Global Humanitar të OKB-së. Kjo po shkakton një krizë brenda krizës. Pa një zgjidhje për krizën e financimit, shkurtimet e mëtejshme janë të pashmangshme.

Më 19 qershor, donatorët ndërkombëtarë premtuan afro 1.5 miliardë dollarë ndihmë për Sudanin, vendin afrikan të goditur nga një krizë e rëndë humanitare e që ka bërë që rreth 2.2 milion njerëz të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.

Përpara konferencës, një kërkesë e OKB-së për 2.57 miliardë dollarë për ndihma humanitare për Sudanin këtë vit ishte financuar vetëm rreth 17%, ndërsa kërkesa për afro 500 milion dollarë për refugjatët që largoheshin nga vendi u financua 15%.

Muajin e kaluar, dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan edhe për thellim të krizës ushqimore, përfshirë rrezikun e vdekjes nga uria në Sudan. Po ashtu përmendën shkakun e luftës dhe në Haiti, Burkina Faso e Mali, për shkak të kufizimeve në lëvizjen e njerëzve e të mallrave.

Këto katër vende i bashkohen Afganistanit, Nigerisë, Somalisë, Sudanit të Jugut e Jemenit në listën e shteteve që po përballen me krizë të thellë ushqimore dhe rrezikojnë të shkojnë “drejt kushteve katastrofike”.

Raporti i Programit Botëror të Ushqimit e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë apeluan për ndihma urgjente, që të shpëtohen shumë njerëz. Përveç nëntë vendeve që vlerësohen me nivelin më të lartë të rrezikut për krizë ushqimore, agjencitë thanë se 22 vende janë identifikuar si shtete që rrezikojnë të përballen me pasiguri akute ushqimore.