Bota

OKB: Ndotja nga plastika mund të zvogëlohet 80%, me riciklim e ripërdorim!

“Ndotja nga plastika mund të zvogëlohet me 80% deri në vitin 2040 dhe kjo nëse shtetet e kompanitë hartojnë politika e bëjnë ndryshime në tregje”. Në këtë përfundim del Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, UNEP. Por, për të arritur në një pikë të tillë, OKB-ja vlerëson se duhet të punohet më shumë në ripërdorimin, riciklimin e riorientimin e produkteve të plastikës.

Sipas ekspertëve të OKB-së, kjo nënkupton që qeveritë duhet të promovojnë shishe që rimbushen dhe skema të rikthimit të produkteve të plastikës. Ndër të tjera, ata kanë vënë në dukje se ndotja me plastikë mund të ulet, edhe nëse riciklimi bëhet më i qëndrueshëm e nxirren përfitime.

Shefja ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen, deklaroi se mënyra si prodhojmë, përdorim dhe e hedhim plastikën është duke ndotur ekosistemet, po krijon rreziqe për shëndetin e njeriut dhe po destabilizon klimën.

Raporti i kësaj agjencie që flet për mënyrat e dhënies fund të përdorimit të plastikës publikohet pas një raundi të dytë të negociatave në Paris, ku dhe është analizuar trendi global për të luftuar ndotjen nga plastika.

Sipas agjencisë, ndryshimi i politikave në përdorim të plastikës, mund të krijojë mbi 700 mijë vende pune deri më 2040-ën, kryesisht në shtete me të ardhura të vogla.

Produktet e plastikës janë gjetur në pothuajse çdo kënd të botës, përfshirë Antarktikën. Më herët gjatë këtij viti, shkencëtarët identifikuan te zogjtë, sëmundjen e parë të shkaktuar nga plastika. E quajtur plasticosis, kjo sëmundje shkakton inflamacion në aparatin tretës.

Nga Europa kërkohet që të tregojë “ambicie shumë më të mëdha” mbi çështjen e ndryshimeve të klimës pasi emetimet e përgjithshme të gazrave serrë janë ende në rritje. Kështu thuhej në një raport të Kombeve të Bashkuara, të publikuar tetorin e kaluar. Aty theksohej se shtetet europiane duhet të rrisin riciklimin, të përmirësojnë cilësinë e ajrit e të shpenzojnë më shumë për mjedisin.