Rajoni

Paratë nga BE-ja, Ballkani nuk përballet me kushte të lehta!

Në dy komisione të Parlamentit Evropian, sonte pritet të miratohet raporti mbi pozicionin e këtij institucioni të BE-së lidhur me planin për zhvillim dhe reforma për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një paketë prej 6 miliardë eurosh, kushtuar investimeve në këto vende. Ky votim është pjesë e procedurës së zakonshme që vendimi i BE-së të bëhet formal.

Për t’u bërë formal, hapi i fundit është që për këtë vendim, fillimisht të propozuar nga Komisioni Evropian, të pajtohen në negociata të përbashkëta Këshilli i BE-së që përfaqëson 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

Fjala është për një prej paketave më ambicioze që Bashkimi Evropian ka planifikuar për vendet e rajonit, të cilat synojnë anëtarësimin në BE. Kjo paketë është e veçantë, krahas fondeve që tashmë janë në dispozicion në kuadër të programeve të para-anëtarësimit, të njohura me shkurtesën IPA.

Me këtë plan, BE-ja synon të stimulojë rritjen ekonomike në gjashtë vendet e rajonit, paralelisht të ndihmojë procesin e reformave dhe në këtë mënyrë, të ndihmohen këto vende që të bëhen gati sa më shpejt për t’u anëtarësuar në Union.

Sipas këtij plani që fillimisht e ka paraqitur Komisioni Evropian e që tani e ka mbështetur edhe Këshilli, për vendet e rajonit do të ndahen 2 miliardë euro në formën e parave pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro do të jenë në formën e kredive të favorshme.

Por, të tre institucionet e BE-së kanë theksuar se për të përfituar nga kjo paketë e asistencës financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të siguruar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

Në propozimet që tani duhet të negociohen për t’u miratuar si një vendim i përbashkët, përmendet kushti për kontrolle financiare dhe auditime të pavarura.

Tërhiqet vërejtja se pagesat për projekte të vendeve të rajonit do të jenë të kushtëzuara me kritere strikte që kanë të bëjnë me reforma. Para se të bëhet pagesa, Komisioni Evropian duhet të raportojë se janë përmbushur kushtet dhe vendimin duhet ta miratojë Këshilli. Në rast se konstatohet se ndonjë vend nuk i përmbush më kriteret, atëherë do të pezullohen pagesat.

Krahas kushteve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit do të ketë edhe kritere politike. Për Kosovën dhe Serbinë “parakusht tjetër” do të jetë “angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre, me qëllim zbatimin e plotë të detyrimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi për implementim, si dhe angazhimi në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”.

Për kushtëzimin specifik ndaj Kosovës dhe Serbisë ka dakordësi nga të tre institucionet e BE-së. Por, Parlamenti Evropian kërkon që të sqarohen kriteret, në bazë të të cilave do të bëhet vlerësimi nëse njëri apo tjetri vend i ka përmbushur kushtet.