Aktualitet

Pas arrestimit, qeveria shkarkon Lefter Allën si kryebashkiak i Bulqizës!

Shkarkohet nga detyra, kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla. Vendimin e mori qeveria, siç thekson “për shkak të shkeljeve të rënda të kryetarit të Bashkisë”. Po ashtu, ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

I akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dhe shpërdorim detyre, Lefter Alla u prangos pak ditë më parë, më 16 mars. Policia e Shtetit ekzekutoi masën e sigurisë së caktuar më 14 mars nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO.

Pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bëri të ditur se kryebashkiaku Alla së bashku me të tjerë zyrtarë nën hetim, vartës të tij në institucionin që drejtonte kanë konsumuan veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Po ashtu, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, funksionari ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndër të tjera, sipas të njëjtit njoftim zyrtar, sqarohej se kryebashkiaku Lefter Alla kishte kryer shkelje gjatë procedurës së prokurimit publik. Kjo për ndërtimin e rrjetit të furnizimit e rrjetit shpërndarës të Ujësjellësit në Bulqizë, tender ky që kapi vlerën e mbi 322 milion lekëve. Alla i quajti “politike” akuzat me të cilat përballet.

VENDIM PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË BULQIZË, Z. LEFTER ALLA

Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA