Aktualitet Travel

Pasuritë kulturore me vlerë historike, për të mos u humbur urat e Malit të Sheldisë në Shkodër!

Identifikimi e dokumentimi i pasurive kulturore me vlerë të rëndësishme historike, me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre unike dhe gjithashtu shpalljen si interes kulturor, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, DRTK, sjell në vëmendje urat në Malin e Sheldisë.

Në lartësinë rreth 280 m, si pjesë e trasesë së rrugës, ruhen dy ura në distancë rreth 300 m nga njëra tjetra. Vepra inxhinerike në gurë shërbenin si mbikalime mbi vërshimet e përrenjve nga Mali i Sheldisë.

Urat janë prej guri, të ndërtuara mbi skarpatin e malit. Në fasadë i është kushtuar kujdes anës estetike në puthitjen mirë të gurëve, skuadrimin e tyre.

Ura e parë që ngrihet rrëzë Malit të Sheldisë, mbi fshatin Juban dhe me një gjatësi prej 14 metrash, ngrihet mbi një qemer njëfish të punuar me gurë të skuadruar me rreze drite 2.70 m. E gjithë ura ka një lartësi 2.10 m e gjerësi 3.30 m.

Ura e dytë, rreth 300 m në distancë nga e para është më e lartë e kjo për shkak edhe të relievit më të thepisur. Për ndërtimin e saj, po ashtu është punuar terreni mbi të cilin janë ngritur këmbët e urës. Me gjatësi 23.40 m, ura ka një lartësi 6.45 m, e pajisur me një qemer njëfish e me rreze drite 2.70 m dhe gjerësi të trasesë 3.50 m.

Historia e urave mbi fshatin Ganjolle, lidhet me pozicionin gjeografik të Shqipërisë, që e bënte atë të rëndësishme për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye, në vitin 1832 ishte hapur një konsullatë në Shkodër, e cila u bë një qendër e rritjes dhe përhapjes së ndikimit austriak në rajon.

Për rrjedhojë, në Ultësirën Perëndimore u planifikua që të ndërtoheshin hekurudha për dekovilët, si dhe teleferikë që shërbenin për transportimin e materialeve të luftës, të ushtarëve, furnizimeve ushqimore, etj.

Vihet në dukje se vija më e njohur e dekovilit, por edhe e teleferikëve ishte ajo Shëngjin Lezhë-Vorë, 40 km e gjatë e që do të shërbente për transportin e municioneve e të ushqimeve, madje edhe të trupave.