Aktualitet Bota

Izraeli vret pesë palestinezë në Bregun Perëndimor!

Ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj kanë vrarë pesë palestinezë të cilët ishin barrikaduar në një ndërtesë që u rrethua për 12 orë, në Bregun e pushtuar Perëndimor, më 4 maj.

Brigada Ezedin al-Kasam, krahu i armatosur i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – raportoi se tre luftëtarë të saj u vranë, përfshirë Alaa Adib, që ishte shef i brigadës në qytetin Tulkarem.

Mediat kanë raportuar për dislokim të një numri të madh të ushtrisë izraelite në fshatin Deir al-Gusun, në afërsi të qytetit verior të Tulkaremit.

Forcat izraelite “u përfshin në një operacion 12-orësh kundër terrorizmit në zonën e Tulkaremit”, tha ushtria dhe shërbimi sekret, Shin Bet, përmes një deklarate të përbashkët.

Ushtria tha se trupat u përballën me zjarr pasi hynë në fshat për të “neutralizuar një celulë terroriste” dhe “u kundërpërgjigjën me zjarr, raketahedhës krahu dhe armë të tjera”.

Ndërkaq, një dron goditi dy herë ndërtesën, para se ushtria ta shkatërronte atë.

“Konfrontimi përfundoi me eliminimin e pesë terroristëve dhe konfiskimin e pajisjeve ushtarake dhe komponentë armësh”, u tha në deklaratën e përbashkët.

Gjatë operacionit, Izraeli bëri të ditur se është plagosur një polic kufitar.

Në Bregun Perëndimor dhuna është rritur që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit. Të paktën 496 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor nga trupat izraelite apo kolonët izraelitë, sipas të dhënave të grumbulluara nga AFP.

Lufta në Gazë nisi pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit që rezultoi me vrasjen e afër 1.200 personave, shumica civilë, dhe rrëmbimin e afër 250 të tjerëve.

Si pasojë e kundërofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi.