Bota

Pekini provokon me patrullime detare në Detin e Kinës Jugore!

Kina patrullon në Detin e Kinës Jugore, aty ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatë njoftuan për zhvillim të stërvitjeve detare. Ishte ushtria kineze që raportoi se ka kryer patrullime ajrore e detare dhe se të gjitha veprimet “të cilat pengojnë Detin e Kinës Jugore” janë nën kontroll. Duket se kjo është një përgjigje e vendit aziatik ndaj stërvitjeve detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatë.

Shefat e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë dhe Filipineve, njoftuan dje se do të mbajnë stërvitje të përbashkëta në det, për të ruajtur sundimin e ligjit e të drejtën për të lundruar, si dhe për të fluturuar mbi ujërat e Detit të Kinës Jugore.

Kina ka mosmarrëveshje territoriale të vjetra me disa vende të Azisë juglindore, pikërisht në Detin e Kinës Jugore e që njihet si rrugë shumë e rëndësishme e tregtisë. Në mënyrë të veçantë, përplasjet me Filipinet janë rritur ndjeshëm që nga viti i kaluar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer patrullime të përbashkëta me Filipinet, si një shenjë mbështetjeje për këtë vend.

Por, Pekini hedh akuza e thotë se SHBA-të po i nxisin tensione “duke u përzier” në mosmarrëveshjet e tyre.

Në një komunikatë të shkurtër, Komanda Jugore e ushtrisë kineze bëri të ditur se ka organizuar patrullime dhe se “të gjitha aktivitetet ushtarake të cilat pengojnë Detin e Kinës Jugore, si dhe krijojnë “pika të nxehta”, tashmë janë vënë nën kontroll”.

Në këtë komunikatë nuk u përmendën as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as stërvitjet e përbashkëta. Nga ana tjetër, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as aleatët e tyre nuk e përmendën Kinën në komunikatën e tyre të publikuar, por që të katra vendet ritheksuan qëndrimin që kanë se një vendim i arbitrazhit ndërkombëtar është përfundimtar e ligjërisht detyrues. Ky vendim i zhvlerësoi pretendimet e mëdha të Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Rritja e tensioneve në ujërat e kontestuara pritet të jetë në krye të axhendës kur presidenti amerikan, Joe Biden të presë homologët e tij nga Japonia dhe Filipinet, në një takim në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme.