Bota

Pentagoni servir pamjet e incidentit Amerikë-Rusi mbi Detin e Zi/Momenti i rrëzimit të dronit amerikan nga avioni rus!

Pentagoni publikoi pamjet e avionit rus që i hedh karburant një droni mbikëqyrës amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi. Ky veprim dëmtoi një pjesë të mjetit fluturues, duke i prerë helikën. Video 42 sekondëshe tregon një Su-27 rus që i afrohet pjesës së pasme të MQ-9/ës e fillon të lëshojë karburantin. Duket se synohej dëmtimi i instrumenteve optike të dronit që ta dëbonte nga zona. Incidenti ashpërsoi tonet mes palëve.

Për shkatërrimin e dronit amerikan pas përplasjes, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe shefi i Shtabit, gjenerali Mark Milley biseduan në telefon me homologët rusë Sergei Shoigu e Valery Gerasimov. Bisedat ishin të parat që nga tetori 2022.

Ndërsa përpjekjet për spiunazh nuk janë të rralla, incidenti që ndodh në mes të luftës ruse në Ukrainë ka ngritur shqetësime se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po i afrohen një konflikti të drejtpërdrejtë.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se “Shoigu akuzoi SHBA-të për provokimin e incidentit, pasi shpërfillën kufizimet e fluturimit që Kremlini i pati vendosur për shkak të operacioneve ushtarake në Ukrainë”.

SHBA-të kanë intensifikuar aktivitetet e Inteligjencës kundër interesave të Federatës Ruse. Moska do t’i përgjigjet njëlloj të gjitha provokimeve.

Incidenti i 14 marsit ndodhi në orën 07:03 të mëngjesit mbi ujërat ndërkombëtare e shumë larg Ukrainës, pasi avionët rusë fluturuan në afërsi të dronit për 30 deri në 40 minuta. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë rikuperuar dronin e rrëzuar, por as Rusia.

Zyrtarët amerikanë lanë të hapur mundësinë e përpjekjes për të rikuperuar një pjesë të dronit të rrëzuar që kushton 32 milion dollarë, për të cilin thanë se u rrëzua në ujërat që ishin 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 500 metra të thella.

Të tjerë zyrtarë amerikanë thanë se SHBA-të nuk kanë anije ushtarake në rajon e nuk ka gjasa të merren mbetjet e dronit. Por, shprehën besimin se nuk do të mbetej asgjë me vlerë ushtarake në dron, edhe nëse Rusia arrin të marrë mbetjet e tij.