Sport

Përfundimisht, Shqipëria në krye të Grupit E/Hyn nga porta kryesore për në Euro 2024!

Shqipëria ruan vendin e parë në grup, pasi mori një pikë në ndeshjen përballë Ishujve Faroe në Air Albania. Me një ndeshje të vakët e pa shumë raste, Shqipëria e mbylli këtë fushatë kualifikuese për “Euro 2024”-ën. Një pikë që na mjaftoi për të siguruar kreun e Grupit E me 15 pikë, duke shkuar në Europianin e verës së ardhshme nga porta kryesore.

Në stadiumin e mbushur në kapacitet maksimal, mes disa ndryshimeve në formacion nga trajneri Sylvinho, lojtarët kuqezi dukeshin me mendje te festa e kualifikimit.

Munguan rastet e pastra. Për të pritur të parën goditje në kuadrat duhej të shënohej minuta e 36-të me Nedim Bajramin, i cili tentoi nga distanca, por që u ndal nga portieri kundërshtar. Shtatë minutat shtesë të pjesës së parë ishin të tëra për Shqipërinë, por si Uzuni ashtu edhe Daku nuk mundën të finalizonin në pozicione mjaft të favorshme. Fraksioni i dytë ishte i vakët, madje ishin miqtë që patën më shumë iniciativë duke kërcënuar edhe njëherë portën e Strakoshës.

Ndërkohë, në të 67-tën u regjistrua një kombinim i bukur mes Dakut e Asanit, me këtë të fundit që provoi, por u devijua nga njëri prej mbrojtësve kundërshtarë. Deri në fund, nuk pati më raste konkrete dhe Shqipëria e mbylli me një barazim, pa shkëlqim. Por, kuqezinjtë arritën një objektiv madhor si kualifikimi në Europian.

Shqipëri-Ishujt Faroe 0-0

67′ Kombinim i bukur mes Asanit dhe Dakut, godet sulmuesi anësor por topi devijohet në këndore nga një prej mbrojtësave kundërshtarë

55′ Për pak na befasojnë Ishujt Faroe, goditja e Bjartalid shkon ngjitur me shtyllën e Strakoshës

45+7′ Tjetër rast për Shqipërinë, Daku shpërdoron i vetëm përballë portierit kundërshtar

45+7′ Uzuni i afrohet golit, pret portieri kundërshtar

36′ Aksion individual i Nedim Bajramit, fantazisti provon me një goditje të fortë, por ndalet nga portieri kundërshtar

30′ Përplasje e frikshme mes lojtarëve të Ishujve Faroe, problem për njërin prej tyre

19′ Asllani provon topin e gjatë për Dakun, sulmuesi provon deri në fund, por ishte në pozicion jashtë loje

1′ Starton ndeshja,  Shqipëria luan e kualifikuar ndaj Ishujve Faroe, por pretendon të sigurojë edhe vendin e parë në Grupin E

Trajneri Sylvinho hapi letrat sa i takonte formacionit, me pesë ndryshime nga 11-shja e fundit që luajti ndaj Moldavisë. Strakosha mori vendin në portë ndërsa në mbrojtje, Balliu u aktivizua në vend të Hysajt. Në mesfushë pushoi Ramadani dhe u aktivizua Bare ndërsa në sulm u rikthyen Uzuni e Daku në vend të Seferit dhe Cikalleshit.