Aktualitet

Përmirësimi i situatës me COVID-in, sot hyn në fuqi heqja e orës policore!

Në vendin tonë sot hyn në fuqi heqja e orës policore, vendim i njoftuar një ditë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Masa shtrënguese ishte vendosur prej fillimit të pandemisë koronavirus e tashmë, të gjitha aktivitetet tregtare të lidhura me këtë kufizim orari, mund të ushtrojnë lirshëm veprimtarinë e tyre.  Në fuqi mbetet mbajtja e maskës në mjedise të mbyllura, ndonëse nga vëzhgimet në terren konstatohet një shpërfillje e mirëfilltë. Po ashtu, nuk ndryshoi shfrytëzimi në 30 përqind i kapaciteteteve të strukturave ku zhvillohen aktivitete kulturore, sportive apo konferenca, çka gjithashtu nuk zbatohet.

Autoritetet deklaruan se pavarësisht përmirësimit të situatës, procesi i vaksinimit kundër koronavirusit duhet të vijojë me intensitet, duke rekomanduar që mosha e lejueshme për vaksinat anti-COVID të zbresë në plus 12-vjeç në Shqipëri. Vendimi pasoi përmirësimin e ndjeshëm të situatës, me një rënie të rasteve të reja që vijon prej 5 javësh.

Gjatë javës së fundit, mesatarja ditore ishte prej 147 rastesh. Incidenca zbriti në nivelet e 36 të prekurve për 100 mijë banorë ose 40 përqind më pak, ndërsa pozitiviteti ra në 7.9 përqind.

Përmirësim ka njohur dhe gjendja te Infektivi.

Një muaj më parë ishin të shtruar rreth 175 pacientë e tashmë numri është reduktuar në 50. Gati 70% e tyre janë forma të rënda, 10% forma të rënda dhe kritike.

Sipas të dhënave zyrtare, në muajin shkurt, rastet e reja ranë më 76 përqind, duke zbritur në një total prej 11.626 të infektuarish rishtaz ose një mesatare ditore prej 415 të prekurish. Nga ana tjetër, numri i viktimave po ashtu u ul, por jo me të njëjtat ritme. Në total, gjatë gjithë muajit shkurt pati 119 humbje jete apo 11.9 përqind më pak se në janar. Në raport me shkurtin e vitit 2021, shifrat ishin ndjeshëm më të ulëta. Rastet e reja rezultuan gati 60 përqind më pak, ndërsa vdekjet, thuajse 4 herë më të ulëta.