Aktualitet Politikë

Përplasjet në Komisionin e Medias, Nikolla: Sulm i paprecedent ndaj një zonje deputete!

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dënoi sot sjelljen e deputetëve Gazment Bardhi dhe Flamur Noka ndaj kryetares së Komisionit të Medias, Flutura Açka.

Dënoj ashpërsisht ngjarjen shumë të rëndë që ndodhi sot në Komisionin e Medias të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, jo vetëm penguan me dhunë zhvillimin e mbledhjes së komisionit, por fyen rëndë kryetaren e komisionit, deputeten e nderuar Flutura Açka.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se “ky sulm i paprecedent ndaj një zonje deputete të Kuvendit të Shqipërisë, është shumë më tepër se shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe e etikës së sjelljes së deputetit”.

Në një kohë kur Kuvendi është duke punuar për ashpërsimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në mjediset e tij, në një sallë mbledhjesh ku duhet të zhvillohet debat për ligjet dhe prej nga duhet të rrezatohet edukatë dhe qytetari, në sy të kolegëve, medies dhe gjithë qytetarëve, dy deputetë ushtrojnë dhunë ndaj një kolegeje të tyre, deputete dhe Kryetare Komisioni. Dhuna e ushtruar prej deputetëve Bardhi dhe Noka i kaloi caqet e dhunës verbale, dhe për këtë flasin pamjet e transmetuara nga media.

Kaos, zhurmues, përplasje e deri edhe tentativa shkuljeje mikrofoni. Këto ishin pamjet e ofruara sot nga Komisioni parlamentar i Medias, ku pati debate të forta mes opozitarëve. Deputetët demokratë Gazment Bardhi e Flamur Noka u përfshinë në përplasje me Flutura Açkën dhe Noka tentoi t’i shkulte mikrofonin koleges.

Ndërsa Flutura Açka drejtonte mbledhjen si kryetare e Komisionit të Mediave, deputetët hynë në sallë dhe pasi kundërshtuan këtë mbledhje, ndezën zhurmues për të penguar punimet e saj.

Bardhi iu afrua Flutura Açkës duke i kërkuar që të deklarohet në maxhorancë.

Turp, ke marrë votën e demokratëve!

Përplasjet kulmuan me Flamur Nokën, i cili i shkuli mikrofonin Açkës, në mbrojtje të së cilës doli kolegia socialiste, Blerina Gjylameti:

Çfarë është kjo? I suleni një gruaje…

Në përfundim të mbledhjes, Açka dha një deklaratë për mediat, duke vënë në dukje se përplasja me kolegët nuk është gjest i mirë dhe se kjo formë e të bërit opozitë, nuk çon gjëkundi.

Një shfaqje jo e hijshme. Unë kam qenë e qartë në mbështetje të komisioneve hetimore. Duke qenë se parlamenti është jofunksional, mendova ta nis vitin mbarë e të themi fjalën tonë si opozitë. E shoh jashtë detyrës sime si deputete të bërtas nëpër korridore. Përplasja në kampin opozitar është e dëmshme.

Një pjesë e opozitës vijon aksionin e nisur muaj më parë për të mos lejuar punime normale të Kuvendit nëse nuk iu plotësohen kërkesat lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara.