Aktualitet Politikë

Tensione të forta mes opozitarëve në Komisionin parlamentar të Medias/Noka i shkul mikrofonin Açkës!

Kaos, zhurmues, përplasje e deri edhe tentativa shkuljeje mikrofoni. Këto ishin pamjet e ofruara sot nga Komisioni parlamentar i Medias, ku pati debate të forta mes opozitarëve. Deputetët demokratë Gazment Bardhi e Flamur Noka u përfshinë në përplasje me Flutura Açkën dhe Noka tentoi t’i shkulte mikrofonin koleges.

Ndërsa Flutura Açka drejtonte mbledhjen si kryetare e Komisionit të Mediave, deputetët hynë në sallë dhe pasi kundërshtuan këtë mbledhje, ndezën zhurmues për të penguar punimet e saj.

Bardhi iu afrua Flutura Açkës duke i kërkuar që të deklarohet në maxhorancë.

Turp, ke marrë votën e demokratëve!

Përplasjet kulmuan me Flamur Nokën, i cili i shkuli mikrofonin Açkës, në mbrojtje të së cilës doli kolegia socialiste, Blerina Gjylameti:

Çfarë është kjo? I suleni një gruaje…

Në përfundim të mbledhjes, Açka dha një deklaratë për mediat, duke vënë në dukje se përplasja me kolegët nuk është gjest i mirë dhe se kjo formë e të bërit opozitë, nuk çon gjëkundi.

Një shfaqje jo e hijshme. Unë kam qenë e qartë në mbështetje të komisioneve hetimore. Duke qenë se parlamenti është jofunksional, mendova ta nis vitin mbarë e të themi fjalën tonë si opozitë. E shoh jashtë detyrës sime si deputete të bërtas nëpër korridore. Përplasja në kampin opozitar është e dëmshme.

Një pjesë e opozitës vijon aksionin e nisur muaj më parë për të mos lejuar punime normale të Kuvendit nëse nuk iu plotësohen kërkesat lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara.

Lidhur me aksionin me zhurmues të një pjese të opozitës reagoi edhe Lulzim Basha.

Turp për këta burrecë të vegjël! Mendojnë se duke sulmuar zonjat me dhunë verbale, tregojnë forcë. Kjo vetëm provon se sa të dobët janë.