Aktualitet

Peshku, qumështi, mishi dhe patatja me rritjen më të lartë të çmimeve në prill!

Ndonëse muajin e kaluar rritja e çmimeve u ngadalësua sërish, disa prej ushqimeve bazë vijuan shtrenjtimin me ritme të shpejta. Të dhënat e detajuara të INSTAT-it bënë të ditur se “qumështi, djathi, veza, peshku, mishi dhe patatja” vijuan rritjen me ritme dyshifrore. Bulmeti pothuajse është bërë i papërballuashëm për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare dhe rritja e tij nuk po ndalet.

Në prill, grupi “Qumësht, djathë dhe vezë” u shtrenjtua me 15.5%, pas një zgjerimi prej 17.1% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Operatorët pohojnë se kostot e tyre janë rritur për shkak të lëndës së parë, mungesës së fuqisë punëtore që ka ulur nivelin e grumbullimit të qumështit të papërpunuar, si dhe politikave fiskale që ulën nivelin e TVSH-së së rimbursuar. Madje, produktet e qumështit janë më të shtrenjta edhe se rajoni, duke bërë që të shtohet konkurrenca nga importi.

Mishi është produkti tjetër bazë që sa vjen e po kushton më shumë në buxhetin familjeve. Sipas INSTAT-it, në prill, indeksi vjetor i këtij grupi u rrit me 12.3% nga 7.8% që ishte ndryshimi vjetor në të njëjtin muaj të një viti më parë. Si në rastin e qumështit, shtrenjtimi është i lidhur me problemet që po kalon blegtoria në vend, duke nxitur importet.

Të dhënat e tjera të INSTAT-it treguan se për muajt e parë të vitit, nga gupet e ushqimeve, rritje kanë pësuar vetëm importet që lidhen me produktet nga kafshët, të tilla si bulmeti e mishi. Në këto produkte, rritja e importeve po vjen si rrjedhojë e krizës që po kalon blegtoria vendase ku numri i kafshëve po tkurret me shpejtësi në fermat e vogla, si rrjedhojë e pakësimit dhe plakjes së popullsisë në zonat rurale.

Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që çmimet e bulmetit të rriten me ritmet shumë të larta vitin e fundit.  Nëse doni të blini peshk, duhet të mendoheni mirë. Çmimet e tij janë rritur me 13.5% në prill, nga 3.6% që ishte ndryshimi vjetor në prill 2022. Më shumë kushton dhe patatja (+10.7) dhe frutat (+7.7%). Në prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në mbi një vit.

Kryesisht, treguesi u ndikua nga rënia e çmimeve të naftës, me grupin “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit”, që ra me 13.8%, pasi ishte rritur me 30.2% në prill 2022, kur sapo nisi kriza si rrjedhojë e sulmeve ruse në Ukrainë.

Në të njëjtën linjë edhe vaji, që me fillimin e luftës u shtrenjtua ndjeshëm. Në prill të këtij viti u rrit me më pak se 1%. Më i moderuar ishte dhe shtrenjtimi i bukës e drithrave, si dhe sheqerit./Monitor