Aktualitet

Policia arreston 16 persona pas protestës për rritjen e çmimeve, ja akuzat ndaj tyre

Mijëra qytetarë protestuan dje përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të naftës, energjisë elektrike dhe taksave.

Por 16 prej tyre kanë përfunduar në pranga dhe pesë të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë bëri me dije policia e kryeqytetit këtë të enjte.

“Bazuar në provat e grumbulluara, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim”, – tha policia.

Sipas bluve, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë “të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 9 mars 2022”.

Njoftimi nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Bënë thirrje për grumbullime, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë protestës së ditës së djeshme, arrestohen në flagrancë 16 shtetas dhe procedohen penalisht 5 shtetas të tjerë.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 9 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

– E. Ç., 21 vjeç, A. Z., 22 vjeç, V. P., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, Gj. P., 22 vjeç, S. Rr., 33 vjeç, P. S., 22 vjeç, E. N., 22 vjeç, E. L., 25 vjeç, M. D., 43 vjeç, A. M., 32 vjeç, A. N., 23 vjeç, E. A., 20 vjeç, Sh. M., 25 vjeç, Xh. L., 25 vjeç, dhe B. L., 28 vjeç.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit:

– E. H., 20 vjeç, E. P., 23 vjeç, A. A., 36 vjeç, M. K., 20 vjeç, dhe E. V., 22 vjeç.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 9 mars 2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.