Aktualitet

Policia bllokoi varkat në lumin e Shalës, operatorët bllokojnë tunelin hyrës për në Koman!

Operatorët turistikë dhe banorët e fshatrave në liqenin e Komanit janë hedhur në protestë duke bllokuar tunelin e hidrocentralit. Ata kundërshtojnë aksionin e policisë që solli bllokimin e varkave me të cilat transportonin turistët.

Banorët thonë se turizmi është bllokuar nga ky aksion e shtojnë se në bujtinat e tyre nuk ka më as ushqime. Pas ndërhyrjes së policisë që pezulloi disa varka artizanale të cilat sipas bluve, nuk përmbushnin kriteret e sigurisë e nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës, operatorët turistikë të liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli.

Ata i kërkuan zgjidhje e të mos pengohen në punën e tyre, në kulmin e sezonit turistik. Gjithashtu theksojnë se varkat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe se me bllokimin e tyre po dëmtohet ekonomia e shumë familjeve.

Nga ana tjetër, Shkreli vuri në dukje se nuk ka qenë në dijeni të aksionit të policisë dhe problematikën do ta përcjellë te kryeministri Edi Rama. Pak ditë më parë policia e Shkodrës bllokoi 13 varka artizanale e një traget, për mosplotësim të kushteve të sigurisë.