Rajoni

Policia e Kosovës konfiskon pajisje për prodhim të kriptovalutave në Zubin Potok!

Policia e Kosovës bën të ditur se ka konfiskuar 11 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në fshatin Uglar të Zubin Potokut, komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Në njoftimin zyrtar të forcave të rendit theksohet se qytetarët e lagjes ku ishin të instaluara pajisjet për prodhimin e kriptovalutave e patën denoncuar rastin në polici, për shkak se ata kanë patur probleme të vazhdueshme me energjinë elektrike e për pasojë u janë dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake.

Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ka ndërmarrë veprime të menjëhershëm dhe ka identifikuar lokacionin [shtëpinë] e personit të dyshuar dhe në shtëpi janë gjetur njëmbëdhjetë pajisje për prodhimin e kriptovaluatave [Bitcoin].

Më tej, policia informon se personi i dyshuar nuk u gjet në shtëpi, edhe për faktin që udhëton shpesh në kryeqytetin serb, Beograd.

I dyshuari nuk gjendej në shtëpi pasi që herë pas here udhëton nga Beogradi i Serbisë dhe viziton shtëpinë lartcekur [në Zubin Potok].

Njoftimi i plotë: 

Identifikohen pajisje për prodhimin e kriptovalutave në një shtëpi në veri të vendit, dyshohet se qytetarëve u dëmtoheshin pajisjet elektrike shtëpiake si pasojë e problemeve me energji elektrike.

Prishtinë, më 11 qershor 2023

Policia e Kosovës, konkretisht drejtoria rajonale e Policisë Mitrovicë veri, me datë 10.06.2023, ka pranuar informata relevante se një person i dyshuar nga fshati Uglar, komuna Zubin Potok posedon pajisje për prodhimin e kriptovalutave (Bitcoin).

Sipas informacioneve si rrjedhojë në lagjen e fshatit të lartcekur herë pas here ka probleme me energjinë elektrike dhe qytetarëve po u dëmtohen pajisjet elektrike shtëpiake, shkaktohej zhurmë dhe kërkohet ndihma e Policisë lidhur me këtë çështje.

Policia e Kosovës, nga stacioni policor Zubin Potok, mbështetur nga Njësia për reagim të shpejtë (NJRSH), bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore kanë ndërmarr veprime të menjëhershëm dhe ka identifikuar lokacionin (shtëpinë ) e personit të dyshuar dhe në shtëpi janë gjetur njëmbëdhjetë (11) pajisje për prodhimin e kriptovaluatave (Bitcoin).

Lidhur me rastin është njoftuar njësia kompetente nga Dogana e Kosovës, të cilët kanë dalë në lokacion, pajisjet janë konfiskuar dhe sipas verifikimeve i dyshuari nuk gjendej në shtëpi pasi që herë pas here udhëton nga Beogradi i Serbisë dhe viziton shtëpinë lartcekur.

Që nga viti i kaluar, Policia e Kosovës ka zhvilluar dhjetëra aksione për konfiskimin e pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave. Në katër komunat e veriut, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç janë konfiskuar qindra pajisje edhe në të kaluarën. Aty është bërë identifikimi i të ashtuquajturave “ferma” për prodhimin e kriptovalutave.

Prodhimi i kriptovalutave është i ndaluar në Kosovë që nga shfaqja e krizës energjetike vitin e kaluar. Vitet e fundit, ky aktivitet ka qenë i përqendruar në katër komunat veriore pasi në këtë pjesë të vendit, qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike që nga viti 1999.