Aktualitet

Politika në Shqipëri uron Kurban Bajramin!

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit dhe të dashurisë ndaj Zotit. Zyrtarë të lartë dhe ministra shprehin mesazhe urimi. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla:

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shëndet e bekime në familjet e tyre. Kurban Bajrami është tashmë një festë popullore, që i kapërcen kufijtë e besimit dhe të komunitetit mysliman, bashkë me të cilin gëzojnë të gjithë shqiptarët.

Mozaiku, respekti dhe harmonia fetare e Shqipërisë dhe shqiptarëve është një mundësi për më shumë gëzime e mirënjohje. Festa e Kurban Bajramit është një shenjë jo vetëm e përkushtimit fetar, por edhe e sakrificës, e mirësisë dhe e devotshmërisë njerëzore. Eshtë një thirrje për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe lehtësimin e vuajtjeve të të varfërve, të dobëtëve dhe atyre që kanë më shumë nevojë. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi:

Kurban Bajram të gëzuar për të gjithë besimtarët myslimanë! Adhurimi dhe lutjet tuaja te Zoti qofshin të pranuara! Paçi përherë zemrën plot me mirësi e begati. Gëzuar!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka:

Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë! Në këtë ditë të bekuar përkushtimi dhe sakrifice, uroj shëndet, paqe, harmoni dhe begati për ju dhe familjet tuaja!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e uroi Kurban Bajramin me pamje nga Xhamia e Pazarit të Gjirokastrës, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shprehet:

Gëzuar Kurban Bajramin për gjithë besimtarët myslimanë! Uroj përzemërsisht mirësi, paqe e begati në familjet tuaja! Lutje të pranuara!

“Gëzuar Kurban Bajramin! Allahu i Madhëruar pastë pranuar sakrificat, veprat e mira, por edhe pendimin tuaj! Paçi vetëm bekime!”, është urimi i kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. “Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë. Paqja, harmonia dhe dashuria për njëri-tjetrin mbizotëroftë në mendjen dhe zemrën e gjithsecilit”, thekson në urimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.