Aktualitet Politikë

Presidenti i ri, nga nesër deputetët socialistë propozojnë kandidaturat!

Partia Socialiste nesër zhvillon mbledhjen e grupit parlamentar, ku deputetët do të propozojnë nga tre emra kandidatësh për President të Republikës. Kryetari i grupit, Taulant Balla:

Nesër në këtë sallë të grupit parlamentar, ne do marrim propozimet e para me emra konkretë nga anëtarët e grupit të PS-së. Në një zarf, çdo deputet përmes një formulari do ketë mundësinë të propozojë jo me shumë se tre kandidatë, qofshin zonja apo zotërinj. Për ne ka rëndësi të jetë proces konsultimi brenda grupit. Nesër, deputetët do t’i depozitojnë në një sekretari të posaçme dhe më pas do të kemi mundësi të vlerësojmë propozimet brenda grupit.

Për konsultime me qëllim zgjedhjen e pasuesit apo pasueses së Ilir Metës, Balla ka ftuar edhe publikun:

Duam të nxisim edhe publikun të bëhet pjesë e procesit. Në adresën zyrtare do të nxisim publikun që të sjellë propozime në e-mail/in zyrtar: [email protected]. Eshtë një standard i ri për t’u ndarë nga kulisat e vjetra për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit, i cili përfaqëson unitetin e popullit ndaj populli s’ka pse mos jetë pjesë për zgjedhjen e presidentit të ri. Do të ftojmë shoqërinë civile të bëhet pjesë e konsultimeve në këtë sallë, do ta ftojmë të sjellë propozimet.

Kreu i grupit të PS-së solli në vëmendje edhe konsultimet me grupet parlamentare të opozitës.

Do t’i ftojmë grupet e opozitës, do të propozojmë një takim të martën pasdite, me të tre kryetarët e grupeve, z.Alibeaj, znj.Doda e z.Mediu në një takim paraprak në zyrat e Kuvendit, me qëllim që të nisim parimet kryesore të një dialogu me grupet parlamentare. Në tre raunde kërkohet një shumicë e cilësuar, kjo parasheh të kemi një proces konsultimi me opozitën.

Taulant Balla përjashtoi mundësinë që presidenti i ri të jetë një emër nga radhët e opozitës aktuale.

Shqipërisë nuk i duhet një president nga opozita aktuale!

Ndërkohë, Elisa Spiropali bëri të ditur se “PS-ja ende nuk e ka përcaktuar portretin e presidentit dhe as kushte”.

Kandidaturat mund të prodhojnë identikitin apo profilin e presidentit, ka njerëz dinjitozë në akademi, politikë apo çdo fushë, që mund t’i plotësojnë pritshmëritë e publikut dhe Parlamentit. E rëndësishme është të mos kthehemi në të kaluarën për përdorimin e Presidencës për t’u bërë palë e palëve!