Aktualitet

Prodhimi dhe shitjet ranë 16.6%, INSTAT: Bizneset e këpucëve më të prekurat!

Industria prodhuese vijon të jetë në krizë shkak të vështirësive të shumta të cilat konkretizohen nga rënia e volumit të prodhimit dhe të shitjeve.

Të dhënat dëshmohen nga shifrat e INSTAT, të cilat tregojnë se krahasimisht me tre mujorin e vitit 2022, indeksi i shitjeve totale ra 16.6% në tre mujorin e tretë të 2023-shit.

Cikli i krizës i shkaktuar nga ekuilibri i disfavorshëm i euros kundrejt lekut, i cili me rënien e tij shkaktoi një dekurajim të prodhimit dhe eksportit, ka nisur një trend negativ për industritë e vendit, të cilat janë përballur me kosto më të larta dhe fitime tepër të ulëta.

Rënia më e madhe ishte për industrinë e përpunimit të lëkurës dhe të këpucëve, e cila nga tremujori i 2022 e deri në tre mujorin e 2023, indeksi i shitjeve neto ra me 27%.

Përveç ndikimit negativ të kursit, sektori u dëmtua dhe nga një rënie e kërkesës së tregut italian për manifakturën shqiptare.

Gjithashtu, edhe industria nxjerrëse ka pësuar rënie, ku nga 130 shitje në tre mujorin e 2022, në 2023 sektori gjeneroi një indeks shitje neto vetëm  90.6, duke rënë me 30%. Shitjet neto nga prodhimi i letrës dhe produkteve të tjera derivate gjithashtu zbritën me 17%, të ndjekura nga produktet e përpunimit të drurit, të cilat u shitën 10% më pak.

Produktet elektrike dhe industria e metalurgjisë shënoi gjithashtu 5.9% më pak shitje neto. Nga ana tjetër industria e transportit ajror, agjencitë e udhëtimit, hotelet dhe shërbimet e bareve restoranteve kanë shënuar rritje të shitjeve neto për periudhat referuese, të nxitura dhe nga turizmi i shtuar i huaj i vitit që lamë pas, ku të gjitha këto u rritën respektivisht me 31, 16 dhe 12 për qind.

Në një përmbledhje të zhvillimeve ekonomike të vitit 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko theksoi se turizmi, ishte motori kryesor i ekonomisë për këtë vit, si për të ardhurat e gjeneruara ashtu edhe për punësimin e pagat.

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke pasqyruar më së shumti trendin pozitiv të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve”, vijoi më tej guvernatori.

Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të zbresë në objektivin prej 3%, brenda vitit të ardhshëm, por në rast të ndonjë vale tjetër të rritjes së çmimeve, do të ndërhyjë përsëri duke rritur normën bazë.