Aktualitet

Pronarët u kapën duke trafikuar kokainë 5 ditë më parë, zbulohet Call Center-i në pronësi të tyre në Tiranë!

Pas zbulimit të kokainës në rrugën e Kavajës mbrëmjen e 21 marsit në Tiranë ku u arrestuan tre persona, policia ka zbuluar një aktivitet të jashtë ligjshëm call center në rrugën “Idriz Guri” nëTiranë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë njofton se nga hetimet e thelluara mbi personat e përfshirë në ngjarjen e datës 21 mars,  ku u ndalua një punonjës policie dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas të tjerë dhe pas këqyrjes së detajuar të komunikimeve telefonike mes tyre dhe personave të tjerë, deklarimeve të disa personave që tregojnë rrethana të hetimit, si dhe këqyrjes së pamjeve filmike të administruara, është bërë e mundur gjetja dhe kontrolli i një ambienti të përshtatur si Call Center.

Objekti ishte në pronësi të shtetasve M.H. (i shpallur në kërkim) dhe Shkëlqim Ostreni, i ndodhur në rrugën “Idriz Guri” Tiranë, në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumenta, pajisje të ndryshme dhe disa njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe/aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga disa operatorë, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30.000 euro.

Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari dhe dokumentimin me prova ligjore të veprave penale, ku dyshohet se ata janë të përfshirë.

Një operacion antidrogë u zhvillua disa netë me parë në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ka mbetur i plagosur 30-vjeçari Enea Sulejmani dhe u sekuestrua një kilogramë kokainë. Tre personat (Enea Sulejmani, Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni) që u arrestuan dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut. Prej dy muajsh, ata ishin nën vëzhgimin e policisë dhe u kapën në flagrancë, teksa shkëmbenin lëndën narkotike në një rrugë pa krye, ku kishin lënë vendtakimin. Në momentin që u përballën me patrullën e policisë, ata lëvizën mbrapa, duke përplasur makinën e efektivëve dhe duke rrezikuar policët që ishin në këmbë. Të ndodhur në këtë situatë, një prej efektivëve qëlloi me armë, duke plagosur në fundshpinë 30-vjeçarin.  Ndërkohë dy ditë pas ngjarjes në pranga u vu edhe polici i “Operacionales” Ervis Shkurta. Ai përfundoi në prangat e AMP si bashkëpunëtor me furnizuesit e kokainës, që po ndiqeshin nga antidroga. “Hë mbaruat”, i shkruante në WhatsApp oficeri i operacionales, Shkëlqim Ostenit, në telefonin e të cilit AMP gjeti edhe shtatë thirrje të humbura. Këto thirrje përkojnë me kohën kur Enea Sulejmani, Igli Behafj dhe Shkëlqim Osteni po ndaloheshin nga policia , pak minuta mbasi të dyshuarit po refuzuan t’i bindeshin antidrogës dhe manovruan automjetin si një tentativë që policia e raportoi për të goditur agjentët. Policia tregoi se gjatë neutralizimit u qëllua me armë nga ana e agjentëve , duke plagosur Enea Sulejmanin. Por në mbyllje të aksionit, ashtu siç AMP kishte paralajmëruar se u angazhua në hetime, gjatë këqyrjes së telefonave të të arrestuarve, u zbulua biseda me një person emri i të cilit ishte riregjistruar Visi. Agjencia deklaron se oficeri ka patur dijeni të plotë për personin dhe vendin ku po kryhej shkëmbimi i një kilogrami kokainë që dyshohet se do t’u dorëzohej shpërndarësve në zonën e Xhamllikut, në Tiranë.