Aktualitet

Dita e ndërrimit të viteve/ Fluks emigrantësh në disa akse të vendit!

Dita e ndërrimit të viteve ka sjellë fluks të emigrantëve në pikën kufitare të Qafë-Thanës, të cilët i janë drejtuar vendit tonë për të kaluar këtu festën e Vitit të Ri.

Fluksi i emigrantëve ka sjellë rradhë të gjata dhe pritje deri në 40 minuta.

Në foganë po punohet me 6 sportele, 3 në hyrje dhe 3 në dalje. Pjesë e fluksit janë dhe qytetarët pogradecarë që për shkak të çmimeve më të ulta blenë produktet e tyre në Strugë dhe në Ohër.

Festat kanë sjellë shtim të numrit të automjeteve që lëvizin në rrugët e qytetit të Lezhës, e kjo po shoqërohet me trafik të rënduar dhe kaos në lëvizje.

Problematika më e madhe paraqitet në hyrje dhe dalje të qytetit dhe pranë tregut, aty ku dhe lëvizjet janë më të shumta. Për të përballur fluksin e automjeteve që lëvizin në rrugët e Lezhës, policia rrugore dhe ajo e rendit kanë shtuar prezencën e tyre. Efektivet janë vendosur në nyjet më problematike, duke ndërhyre në normalizimin e lëvizjes së automjeteve.

Synimi për të parkuar automjetet drejt qendrës së qytetit e rëndon edhe më shumë situatën, pasi vendparkimet janë të pakta referuar numrit të lartë të makinave. Trafiku i rënduar pritet ta shoqëroje Lezhën, deri në ditët e para të janarit, kur nis dhe largimi i emigranteve.