Aktualitet

Protestë e fermerëve dhe blegtorëve në Devoll, me traktorë para Drejtorisë së Bujqësisë!

Fermerë dhe blegtorë u bënë bashkë në një protestë para Drejtorisë së Bujqësisë në Devoll. Traktorët i rreshtuan përballë drejtorisë. Konkretisht kërkojnë:

1-Barazim të TVSH për produktet bujqësore;

2-Rimbursim për çdo litër qumësht;

3-Naftë pa taksa për mjetet bujqësore;

4-Fatura TVSH me çmim real nga pika e grumbullimit në ditën e dorëzimit të produktit;

5-Subvencionim për farat dhe fidanët;

6-Subvencionim për produktet organike

Më 8 shkurt, Sindikata e Fermerëve të Bashkuar protestoi para godinës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për më shumë mbështetje. Në një pankartë të madhe, parashtroi kërkesat për barazim të TVSH-së për produktet bujqësore, rimbursim për çdo litër qumësht, naftë pa taksa, faturë TVSH-je me çmim real nga pika e grumbullimit ditën e dorëzimit të produktit, subvencionim për produktet organike, farat e fidanët. Po ashtu paralajmëroi se të shtunën e 10 shkurtit, fermerët do të nisin nga Korça protestat që paralajmërojnë t’i shtrijnë në mbarë vendin.

Këtë fillimvit, blegtorët janë detyruar që ta shesin qumështin 33% më lirë, pasi ka një kërkesë të ulët në markete dhe fabrikat janë plot me stoqe. Edhe pse çmimet e bulmetit me pakicë në vendin tonë janë më të lartat në Europë, ato nuk janë të mjaftueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e të gjithë zinxhirit të tregut të bulmetit nga prodhimi në market.

Mungesa e subvencioneve, si dhe ngarkesa e lartë fiskale në të gjithë zinxhirin e prodhimeve blegtorale e ka bërë çmimin e qumështit në ferma 40-50% më të lartë se qumështi i papërpunuar nga importi. Fermat e të imtave falimentojnë nëse shesin poshtë nivelit 160 lekë, ndërsa ato të lopëve, poshtë nivelit 930 lekë për litër. Rritja e subvencionit dhe reduktimi i TVSH vlerësohen si zgjidhje të shpejta.

Në vendin tonë, vitin e kaluar, blegtorët që kishin mbi 10 krerë lopë morën nga 98 euro për kokë me dy këste ndërsa në Serbi, pas grevës së blegtorëve, vitin e kaluar, subvencioni për një lopë qumështi është 365 euro dhe për çdo litër, blegtori merr mbrapsht 0.16 cent.

Kjo diferencë në çmime po i orienton fabrikat shqiptare drejt importit të qumështit nga jashtë, gjë që do të thotë se është një presion i shumëfishtë për blegtorët që tashmë vuajnë nga kostot e larta të lëndës së parë, mungesa e fuqisë punëtore dhe braktisja e fshatit.