Aktualitet Lajmet e fundit

Puçi ushtarak në Mianmar, SHBA sanksionon dy gjeneralë!

Shtetet e Bashkuara sanksionuan dy gjeneralë lidhur me puçin ushtarak në Mianmar që ua pamundësojnë hyrjen në Amerikë dhe njëkohësisht u ngrijnë të gjithë pronat që mund të kenë në territorin e SHBA-së. Gjithashtu Uashingtoni paralajmëroi për veprime të ngjashme kundër secilit që është përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve.

Ky njoftim i Departamentit Amerikan të Thesarit erdhi disa orë pasi Bashkimi Evropian deklaroi gatishmërinë për “masa më të ashpra” ndaj Juntës Ushtarake në Mianmar. Vendet anëtare të BE-së kanë thënë se janë duke konsideruar sanksione që shënjestrojnë bizneset në pronësi të ushtrisë, mirëpo besohet se kanë qenë kundër eliminimit të statusit preferencial të tregtisë me Mianmarin.

Edhe shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka folur kundër “forcës brutale” të përdorur nga ata që janë mbrapa puçit në Mianmarit duke i bërë thirrje ushtrisë që të ndalë shtypjen dhe të lirojë të burgosurit, teksa vazhdojnë protestat në këtë shtet.

Junta ushtarake në datën 1 shkurt ndërhyri në parlament dhe qeveri duke i “pushtuar” të dy insitutucionet dhe duke arrestuar liderën Aung San Suu Kyi. Ushtria ja dorëzoi pushtetin krye-komandantit Min Aung Hlaing për shkak të të ashtuquajturave mashtrime zgjedhore nga qeveria.