Aktualitet

Qeveria shfuqizon Bordin e Transparencës për Karburantet!

Qeveria shfuqizon Bordin e Transparencës për naftën dhe hidrokarburet. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj:

Me fillimin e krizës, qeveria ngriti një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve. Prej asaj kohe, çmimet kanë pasur luhatje të mëdha. Ne vendosëm të përcaktojmë disa marzhe fitimi, me qëllim kufizimin e efektit të spekulimeve të hidrokarbureve dhe të limitonim abuzimet. Ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg.

Bordi i Transparencës filloi funksionimin më 12 mars të vitit të kaluar, pas krizës së karburanteve të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ibrahimaj prezantoi dhe masat e ndërmarra për t’u ardhur në ndihmë eksportuesve, të cilët kanë pësuar humbje si pasojë e rënies së euros kundrejt lekut. Deri marsin e ardhshëm, eksportuesit nuk do të paguajnë tatimin mbi fitimin. Pagesa do të bëhet vetëm në rast se janë me fitim, pasi të bëjnë bilancin.

Gjatë muajit të kaluar kemi pasur disa takime me shoqatën e eksportuesve ku janë diskutuar ndërhyrjet potenciale që mund të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë.

Ajo që ka ndodhur është që ato biznese që punojnë me kontrata porositëse, tani gjenden në situatën ku shpenzimet i kanë në lekë dhe të ardhurat në euro e kanë pamundësi për të rishikuar kontratat, në bazë të diferencave të kursit të këmbimit.

Një nga masat që do merret është shtyrja e afatit të kësteve të tatimit mbi fitimin deri në mars të vitit të ardhshëm kur bizneset mbyllin bilancet dhe deklarojnë fitimin apo humbjen e vitit paraardhës.

Pra, subjektet që janë eksportues dhe eksportojnë mbi 70% nuk do parapaguajnë këstet e tatim-fitimit deri në mars kur do të bëjnë bilancin, por do të paguajnë në bazë të bilancit, pra nëse dalin me fitim do të paguajnë tatim-fitimin dhe nëse dalin me humbje, nuk do të paguajnë detyrimin.

Kjo është një masë që vjen si mbështetje për mungesën e likuiditetit që bizneset kanë në treg pas forcimit të lekut në tregjet valutore. Masat e tjera, rimbursimi i TVSH-së, detyrim ligjor që për kategorinë e eksportuesve të jepet në një afat 3 ditor, nga një afat 30 ditor që ka qenë.

Jemi në bisedime me bankat e nivelit të dytë, me qëllim që të ofrojnë produkte ku bizneset të fiksojnë kursin e këmbimit për kontratat që i vendosin një vit në avancë.