Aktualitet

Rama dy apele për naftëtaret: Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s’ka bisedime.

Naftëtaret e Ballshit hynë sot në ditën e 14-të të grevës me kërkesa për shlyerjen e pagave e rifillimin e punës në Uzinë. Shumë prej tyre po kalojnë situatë të vështirë shëndetërore por thonë se nuk tërhiqen. Ndërkaq, kryeministri Rama reagoi duke iu bërë sërish thirrje të mbyllin grevën, si dhe bëri të ditur se po punojnë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë dhe siç shprehet “greva nuk ndihmon as për këtë”. Rama thotë se është e pamundur të ulen bashkë me presione e ultimatume.

Rama në twitter

“Miqtë e mi jo, më vjen keq po ne nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyll greva! Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt dhe nuk pranon ultimatume nga askush. Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s’ka bisedime”.

Edhe më herët kryeministri tha se është e pamundur të bisedohet ultimatume, ndërsa thotë se po punohet për të gjetur investitorë që të rindezin rafinerinë.

“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria. Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin”!