Aktualitet Politikë

Rama në Divjakë: Do hartojmë një plan konkret për zhvillimin rural të integruar!

Kryeministri Edi Rama ishte këtë pasdite në Divjakë, ku i shoqëruar edhe nga deputeti Erion Braçe, diskutuan mbi ide dhe projekte me qëllim zhvillimin e kësaj zone dhe kthimin në një destinacion edhe më të frekuentuar turistik.

Në fjalën e tij, Rama tha se ka ardhur koha për një zhvillim në plazhin e Divjakës, edhe sa i takon strukturave akomoduese, por duke theksuar se gjithçka duhet të jetë në ekuilibër të plotë me natyrën.

“Ne e kemi, prej kohësh, qëllimin që në plazhin e Divjakës, të kemi një zhvillim, por ama, një zhvillim model për nga aspekti i harmonizimit të nevojës për një infrastrukturë akomoduese me nevojën për të ruajtur ekuilibrin e plotë me natyrën, me parkun që është mbrapa e të tjerë e të tjerë edhe tek fakti që me Fondin e Zhvillimit kemi pasur disa eksperienca më të vogla, më pjesore, në bashki të ndryshme të futjes së investimeve me një logjikë ekonomike, jo thjesht te investojmë, të bëjmë edhe të ikim, por të investojmë dhe kërkojmë që të krijojmë të ardhura”, tha Rama.

Pasi dëgjoi prezantimin e bërë nga Kryetari i Bashkisë së Divjakës Josif Gorrea, Rama u tha se Divjaka do të shërbejë si një model për t’u ndjekur edhe nga bashki të tjera të vendit.

“Ideja që ne përpunuam me Erionin është në Divjakë, në bashkinë e Divjakës, duke qenë se ka shumë potencial, jashtëzakonisht shumë dhe duke qenë se në njëfarë mënyre janë bërë shumë gjëra, por tani duhet bërë një lidhje zinxhir e të gjithave bashkë për të nxjerrë në një nivel tjetër njësinë qeverisëse dhe vetë zonën e qeverisur, të bëjmë një projekt-pilot, një projekt-pilot të një zhvillimi lokal të integruar që do të thotë të futemi bashkërisht, qeveria, bashkia,  Fondi i Zhvillimit, patjetër, duke përfshirë këtu komunitetin, biznesin, donatorët dhe të fokusohemi për të krijuar një model të integruar, i cili do të na shërbejë për më tej dhe nga ky proces, ne pastaj krijojmë një eksperiencë dhe i themi bashkive të tjera “Shiko, modeli që bëmë ne, tregoi që duke i bërë vetë kursen kaq dhe fiton kaq në cilësinë e shërbimit”, u shpreh Rama.