Aktualitet

Raporti i “FH”, vlerësimi për Shqipërinë në vite!

Si ka ndryshuar vlerësimi për Shqipërinë nga viti në vit

Qeverisja demokratike në nivel kombëtar mbetet në të njëjtat nivele si dy vitet pararendëse, me 3.25 pikë (2020-2022). Por, ky tregues ka shënuar ulje krahasuar me pesë vitet e tjera: 2015-2019, kur llogaritej në 3.50 pikë.

Në treguesin e shoqërisë civile, Shqipëria vlerësohet me të njëjtën shifër si një vit më parë, 4.75 pikë, por kjo pasqyron një rënie në raport me 8 vitet pararendëse: 2013-2020 kur ky tregues kishte ruajtur një konstante prej 5 pikësh.

Sipas raportit, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij kanë mbetur në të njëjtat nivele prej vitit 2013, duke u vlerësuar me 3.25 pikë. Po kështu edhe korrupsioni që vlerësohet me 2.75 pikë prej vitit 2013.

Elementi i demokracisë për vitin 2022 vlerësohet në nivelet e vitit 2021, me 3.75 pikë, por që gjithsesi pasqyron një rënie krahasuar me një tendencë rritjeje, që u vu re prej vitit 2014 deri në vitin 2020.

Në raport thuhet se themelet e demokracisë në Shqipëri u vunë në provë më 2021-shin, vitin kur u zhvilluan zgjedhjet e 10-ta parlamentare shumëpartiake, që nga rënia e komunizmit.

Pjesa më e madhe e diskutimeve publike, para dhe pas zgjedhjeve, ishin të mbushura me akuza reciproke dhe retorikë përçarëse nga udhëheqësit e partive kryesore politike dhe Presidenti, gjë që çoi në incidente të frikësimit publik, lëndimeve dhe madje edhe vdekjeve gjatë fushatës elektorale.

Në përgjithësi, zgjedhjet parlamentare u administruan mirë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte në gjendje të ofronte mjete të reja teknologjike për identifikimin e votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe teknologjitë e reja të numërimit u përdorën në qendra të ndryshme votimi. Por, integriteti i zgjedhjeve nuk ishte plotësisht i paprekur, për shkak të pretendimeve të besueshme për blerje votash, frikësim dhe dhunë.

Partia Demokratike në opozitë krijoi një njësi të quajtur “Mbroni Votën”, me shumë gjasë e jashtëligjshme, por që tregon shkallën e mosbesimit të publikut ndaj institucioneve.

“Freedom House” përmend qëndrimet e presidentit në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar:

Presidenti Ilir Meta bëri fushatë të hapur kundër Partisë Socialiste në pushtet dhe u bëri thirrje qytetarëve, që të përdorin dhunë, nëse vota e tyre cënohej.

Pas këtyre komenteve, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian u bënë thirrje udhëheqësve politikë të vendit, të përmbahen e të refuzojnë qartë dhunën.

Vitet e fundit dhe veçanërisht gjatë vitit 2021, fraksione brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike e kanë shtuar retorikën e tyre të ashpër kundër SHBA-ve dhe BE-së, duke pretenduar se ato po ndërhyjnë në sovranitetin dhe punët e brendshme të vendit.

Kjo retorikë mosmiratimi ndaj SHBA-ve dhe BE-së lidhet me investimin e huaj e të rëndësishëm politik dhe financiar në organet e ndryshme të reja të zbatimit të ligjit dhe në procesin e verifikimit të sistemit të drejtësisë, i cili ka krijuar pritshmëri të larta për hetime për abuzim me pushtetin dhe korrupsion nga zyrtarë aktualë e të mëparshëm.

Raporti trajton edhe çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të mijëra qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 2021. Dokumenti përmend publikimin në muajin prill nga faqja e lajmeve në internet Lapsi.al, të një artikulli ku flitej mbi një bazë të dhënash të ndjeshme personale të 910,000 qytetarëve shqiptarë, që dyshohej se ishin përdorur nga Partia Socialiste, e që ishin marrë nga një portal qeveritar, që ofron shërbime publike (e-Albania).

Siç konstatohet në raport, “Fillimisht, Partia Socialiste e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por më vonë, kryeministri Rama e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione derë më derë, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit””. “Freedom House” thotë se “mbi këtë çështje nuk u nis asnjë hetim ose mbi mënyrën si partitë politike i sigurojnë apo trajtojnë të dhënat personale të qytetarëve”.

Në raport thuhet se “shkeljet në këtë drejtim dhe pasojat, tregojnë se Shqipëria ende nuk i ka marrë seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Më tej, raporti thekson:

Bashkimi Europian po financon një sërë projektesh për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve institucionale të Shqipërisë, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit.

Por, referuar një raporti të posaçëm të Gjykatës Europiane të Audituesve, të janarit 2022, mbi mbështetjen e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, Freedom House përmend gjetjet e tij se “një mbështetje dhe financim i tillë kanë pasur pak ndikim në avancimin e reformave themelore të sundimit të ligjit për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe mungesës së angazhimit”.

Në raportin e “FH” thuhet:

Mbështetja e BE-së kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, si dhe përcaktimet publike të Departamentit amerikan të Shtetit, duhen kuptuar në një kontekst më të gjerë, të synimeve të politikës së jashtme ndërkombëtare ndaj Ballkanit Perëndimor.

Dëshira është që në Shqipëri ata të kenë një partner, që u përmbahet normave demokratike dhe jo udhëheqës problematikë, që prodhojnë kriza politike artificiale për të cilat SHBA-të dhe BE-ja thirren të ndërmjetësojnë.

“Freedom House” deklaron se “nëse këto përpjekje ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe përcaktimeve publike merren më seriozisht nga Shqipëria, partitë politike, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sistemin gjyqësor, ato mund të shërbejnë si shtysë për reforma të mëtejshme të brendshme”.

Inkurajimi i partive politike për të marrë përgjegjësinë për reformën brenda tyre, si dhe për të trajtuar akuzat për shpërdorim të pushtetit dhe korrupsion brenda radhëve të tyre, ka rezultuar të jetë shumë e vështirë./ Zëri i Amerikës