Aktualitet

Reduktim shërbimi nga 1 nëntori, nëse Shoqata e Transportit nuk subvencionohet për naftën!

Në prag të përfundimit të dhënies së subvencionit nga qeveria për rritjen e çmimit të naftës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetës kërkon të jepet edhe për muajt në vazhdim. Në të kundërt, të ndërhyhet për dyfishimin e çmimit të biletës. Nëse nuk iu merren në konsideratë kërkesat, nga 1 nëntori, operatorët e transportit në Tiranë do të ofrojnë shërbim të reduktuar. Për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë litri në muajt gusht-shtator-tetor për kompanitë e transportit.

Kjo është paketa e dytë antikrizë në ndihmë të sektorit. E njëjta paketë u përdor për rimbursimin e naftës në muajt mars-prill-maj. Në periudhën qershor-korrik, transporti urban vuajti shtrenjtimin e kostove nga rritja e çmimit të naftës, pasi mungoi subvencionimi. Në gusht, operatorët paralajmëruan ndërprerjen e abonesë nëse qeveria nuk merrte masa. Ata rrezikojnë të mbeten pa subvencionim për muajt nëntor-dhjetor.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare së Transportit Qytetës, Kostandin Foni:

Fillimisht, shoqata kërkon transparencë për shpërndarjen e dy fondeve për subvencionimin e naftës, atë të mars-prill-maj dhe të periudhës gusht-shtator-tetor, se sa para’ janë përdorur deri tani e nëse ka mbetur pa u përdorur i gjithë fondi, a është mundësia e shpërndarjes së tij?

Nëse nuk do të vijohet me subvencionimin e naftës nga qeveria, të paktën të vijohet me subvencionim e fondit të bashkisë për nëntor-dhjetor. Subvencioni i Bashkisë së Tiranës është për perfomancën e shërbimit e operatorit. Por edhe ky, është në vlera të papërfillshme për shkak të çmimit të lartë të karburanteve.

Problemi kryesor mbetet stabilizimi financiar i sektorit. Kompanitë e transportit nuk mund të qëndrojnë në varësi të subvencioneve. Vetë ne e kemi të pamundur të përballojmë blerjen e karburantit, në kushtet kur çmimi gati është dyfishuar. Nëse nuk do të vijohet me subvencionin, të plotësohet kërkesa për rritjen e çmimit të biletës në 80 lekë nga 40 lekë që është sot, si dhe të ulen taksat.

Për TVSH-në në shitje të biletave, kemi kërkuar të ulet deri 6%, të hiqet akciza e karburantit, taksa e qarkullimit që është demotivuese, si dhe rimbursimi i kategorive që përfitojnë udhëtim falas.

Shoqata Kombëtare Transportit Qytetës ngre edhe shqetësimin e mungesës së fuqisë punëtore:

Edhe mungesa e stafit është ndër problematikat kryesore e sektorit. Të rinjtë të punësuar si faturino po emigrojnë drejt Anglisë, ndërsa shoferët në Gjermani, pasi nuk kanë siguri te sektori ku punojnë, nuk kanë të ardhme. Kompanitë nuk janë në gjendje të ofrojnë rritje rroge. Nuk janë të aftë të bëjnë shërbime për autobusët.

Për shkak të emigrimit të lartë të popullatës, sektori i transportit urban vijon të vuajë rënien e numrit të pasagjerëve. Sipas të dhënave të shoqatës, aktualisht numri i pasagjerëve është 40% më pak se në vitin 2019.