Aktualitet

Rekomandimet për SPAK-un, ministri Manja në Komisionin e Ligjeve!

Komisioni i Ligjeve zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, si përfaqësues i qeverisë në kompetencat për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm. Manja veçoi drejtimet kryesore në të cilat ishin të fokusuara rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave për Prokurorin e Përgjithshëm e SPAK-un për vitin 2021:

E para, garantimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit, e dyta lufta ndaj korrupsionit dhe e treta, lufta kundër krimit të organizuar. E katërta, të drejtat e njeriut në procesin penal dhe e pesta, bashkëpunimi ndërinstitucional.

Struktura, mekanizmat, rregullat procedurale në organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin dhe konsolidimin e pavarësisë e përgjegjshmërisë së prokurorit.

Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat kryesore për garantimin e pavarësisë së institucioneve e organeve publike në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri.

Në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të dhëna për vitin 2021 në këtë drejtim, rezulton se Prokuroria e Përgjithshme ka trajtuar 1792 çështje për veprat penale në fushën e korrupsioni me një numër total prej 321 personash nën hetim dhe janë  marrë të pandehur 169 vetë. Rastet që dërgohen për gjykim mbeten të ulëta krahasuar me numrin total prej 556 çështjesh të regjistruara.

Konstatohet se vijon të mbetet i ulët roli proaktiv i prokurorit në lidhje me veprat penale kundër korrupsionit. Rezulton një rritje e numrit të çështjeve penale në fushën e pastrimit të parave të regjistruar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, 5.2% më tepër, krahasuar me vitin 2020.

Duke folur për SPAK-un, Manja u shpreh se “nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se janë hetuar gjithsej 715 procedime penale, nga të cilat 353 të mbartura nga viti 2020, ndërsa 363 procedime penale u regjistruan rishtazi nga SPAK-u si hetime penale të reja.

Në lidhje me zbatimin e ligjit Antimafia, ministri i Drejtësisë deklaroi:

Nga SPAK-u, për periudhën janar 2020 deri më 31 dhjetor 2021 janë bërë 316 hetime pasurore ose 3 më tepër se viti 2020, nga të cilat 245 hetime u mbartën nga viti 2020 dhe vetëm 71 hetime u regjistruan për vitin 2021.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve e  organizatave kriminale duke goditur çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre është një prioritet absolut i qeverisë dhe ka qenë një nga rekomandimet e qeverisë.

Në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këto të dhëna, rezultojnë se Prokuroritë e juridiksionit të Përgjithshëm kanë transferuar 93 procedime penale në SPAK ose me një rritje 45.3% të procedimeve të transferuara në krahasim me një vit më parë. Lidhur me veprat penale në fushën e narkotikëve në vitin 2021 janë hetuar 3490 çështje penale apo 488 më tepër se një vit më parë.