Bota

Rritet tensioni, Koreja e Veriut teston raketën më të fuqishme prej 2017-ës!

Orët e fundit, Koreja e Veriut testoi atë që besohet se është raketa më e fuqishme e hedhur që nga viti 2017. Mëngjesin e sotëm, arriti lartësinë 2 mijë kilometra dhe përshkoi 800 km në 30 minuta, para se të rrëzohej në Detin e Japonisë. Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara dënuan testimin që rezulton i 7-ti në një muaj.

Kombet e Bashkuara ia ndalojnë testimin e raketave balistike e bërthamore, duke i vendosur sanksione vendit komunist ku udhëheqësi Kim Jong Un, nuk di të ndalet e zotohet të rrisë kapacitetet e mbrojtjes. Sipas ekspertëve, Koreja e Veriut kërkon t’iu tregojë “muskujt” fuqive rajonale e globale, krahas nevojës për të testuar sistemet e komandës ushtarake. Për këtë ka zgjedhur periudhën para nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë dhe zgjedhjeve presidenciale të Koresë së Jugut, të planifikuara për në mars.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Koresë komuniste “të përmbahet nga të tjera akte destabilizuese”. Janari ishte një prej muajve kur janë kryer më së shumti testime të raketave.

Raketa e testuar sot duket e ngjashme me Hwasong-12, e hedhur më 2017-ën. Më 2018-ën, Kim ra dakord për moratorium në testimin e raketave bërthamore e të atyre me rreze të gjatë veprimi. Por në vitin 2019 ndërroi mendje dhe tha se “nuk vlen më ai moratorium”.

Më herët këtë muaj, Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione Koresë së Veriut. Bisedimet mes dy shteteve janë bllokuar që kur në krye të Shtëpisë së Bardhë erdhi presidenti amerikan, Joe Biden.

Sipas analistëve, raketat e janarit kanë treguar se Koreja e Veriut po teston teknologji që mund të luftojë sistemet e kushtueshme dhe komplekse raketore që Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë pozicionuar në rajon.

Kim duket se po shton testet në përpjekje për të bërë presion mbi Uashingtonin dhe Pekinin lidhur me sanksionet, pak përpara Olimpiadës.