Aktualitet

Rritja e çmimeve, protesta dhe bllokim rrugësh në Bulqizë dhe Lushnje

Fermerët e Lushnjës nuk kanë qëndruar pushim as këtë të diel pasdite. Ata kanë dalë në protestë me tre kërkesa kryesore.

Kërkesa që fermerët i parashtrojnë qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë janë rritja e fondit të naftës pa taksë për mekanikën bujqësore, rritja e numrit te subvencioneve dhe heqja e kritereve përjashtuese për subvencionet.

Protesta është organizuar përpara Drejtorisë së Bujqësisë së rrethit, aty ku bëhen aplikimet për skemat mbështetëse.

Gjatë javës së kaluar, pranë pikave të aplikimit për skemat subvencionale në Lushnjë dhe Fier ka pasur radhë të gjatë të fermerëve që duan të aplikojnë.

Numri i lartë i të interesuarve ka sjellë qëndrimin në radhë për orë të tëra. Shumë prej aplikantëve pohojnë se u është shtuar kostoja e rrugës nga fshatrat e largët, duke ardhur disa herë pranë këtyre zyrave dhe përsëri nuk kanë mbaruar punë.

Në protestat e tyre, fermerë e blegtorë janë shprehu se i konsiderojnë skemat mbështetëse prerje në besë,  për shkak se nuk është marrë parasysh asnjë kërkesë e tyre.

“Fondi i skemave mbështet njerëzit që janë afër qeverisë, një pjesë e madhe e buxhetit të përcaktuar për fermerët i kalon Universitetit Bujqësor dhe bashkive për ndërtimin e tregjeve. Nuk janë mbështetur blegtorët duke rritur tavanin për krerë nga 5 behet ne 10 koke bagëti.

Kjo skemë sipas protestuesve mbështet ndërtimin e serave të reja  ndërkohë që po braktisen serat ekzistuese. Për të gjitha këto probleme fermerë e blegtorë thanë se do të vazhdojnë protestat.

Bllokohet aksi nacional Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Tiranë

Banorët e Bulqizës kanë dalë sërish duke bllokuar rrugën në mbikalimin e qytetit të Ri në rrugën e Arbrit.

Megjithëse në ditën e parë policia procedoi penalisht 21 protestues dhe arrestoi pesë prej tyre, atë sërish kanë dalë për të protestuar për rritjen e çmimeve.

Ajo që i dëmton më shumë nuk është vetëm çmimi i naftës, por edhe çmimet e shportës dhe imputet bujqësore, pasi është pranverë dhe fermerët duhet të bëhen gati për mbjelljet.