Bota

“Rusët ua lidhën këmbët e duart civilëve dhe i vranë”/ Raportime tronditëse nga Bucha

Një raportim tronditës në “The Times” tregon për banorët e një qyteti jashtë Kievit, Bucha i cili së fundmi u çlirua nga kontrolli rus.

Maria Dabizhe, 80 vjeç, përshkroi se si ushtarët rusë ishin paraqitur në shtëpinë e saj disa ditë pas fillimit të pushtimit.

“I pyeta se çfarë po bënin atje”, tha ajo për gazetën. “Ata më thanë: Ne thjesht po përpiqemi të bëjmë punën tonë”.

Ajo tha se vetëm kur rusët filluan të tërhiqen, situata u bë më e qartë.

Fqinjtë e saj ishin lidhur me duar e këmbë dhe ishin vrarë, dhe luftëtarët e mbrojtjes territoriale gjetën një bodrum poshtë një rruge të mbushur me trupa të vdekur.

Trupat i përkisnin 18 burrave, grave dhe fëmijëve.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë për kryerjen e gjenocidit dhe përpjekjen për të eliminuar të gjitha kombet e Ukrainës, një ditë pas zbulimit të varreve masive dhe ekzekutimit të civilëve pranë Kievit.

“Ky është gjenocid. Eliminimi i të gjithë kombit dhe popullit”, tha Zelensky për CBS.

“Ne jemi qytetarë të Ukrainës. Në Ukrainë kemi më shumë se 100 kombësi. Bëhet fjalë për shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha këtyre kombësive”, tha Zelensky.

Tre ditë pas fillimit të pushtimit më 24 shkurt, Ukraina paraqiti një ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë duke akuzuar Rusinë për “planifikim të akteve të gjenocidit”.

Zelensky ka folur një ditë pasi e gjithë bota pa pamjet e transmetuara të trupave civilë të shtrirë në rrugët e qytetit Buça në afërsi të Kievit, si dhe të raportimit se 280 trupa ishin varrosur në një varr masiv atje.

“Ne jemi qytetarë të Ukrainës dhe nuk duam t’i nënshtrohemi politikës së Federatës Ruse. Kjo është arsyeja pse po shkatërrohemi dhe shfarosemi”, tha Zelensky.

“Dhe kjo po ndodh në Evropën e shekullit 21. Pra, kjo është tortura e të gjithë kombit”, shtoi ai.

Zelensky bëri thirrje gjithashtu për një tërheqje të plotë të forcave ruse nga Ukraina “të paktën në kufijtë e tyre që ekzistonin para 24 shkurtit, kur Rusia sulmoi Ukrainën”.

“Nuk mund të ketë asnjë takim derisa bombardimet po vazhdojnë. Pra, së pari armëpushim, pastaj mund të kemi një takim me presidentin rus”, tha Zelensky.

Miliona njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës.