Rajoni

Samiti 2-ditor i liderëve të BE-së në Bruksel, pritet vendimi mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën!

Nesër dhe të premten, liderët e BE-së mblidhen në Bruksel për një samit dy-ditor ku duhet të vendosin lidhur me nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën. Pritet ftesa që të përgatitet korniza negociuese e Bllokut për këto negociata. Në draftin e konkluzioneve të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet:

Bazuar në rekomandimin e Komisionit Europian nga 12 marsi 2024, Këshilli Europian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën. Këshilli Europian fton të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapa të rëndësishëm, të caktuar në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022.

Më herët, 7 shtete anëtare të BE-së, përmes një letre, kërkuan që në samitin e 21 dhe 22 marsit, të miratohej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën. Sipas tyre, “dështimi për të miratuar një vendim të tillë do të dëmtonte besueshmërinë e bllokut europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Radio Evropa e Lirë pati akses në letrën e dërguar nga 7 shtetet anëtare dhe që kërkojnë nisjen e negociatave me Sarajevën. Letra është firmosur nga ministrat për Çështje Europiane të Austrisë, Kroacisë, Greqisë, Italisë, Çekisë, Sllovakisë e Sllovenisë.

Përmes letrës, këto shtete argumentuan se në muajt e fundit, Bosnja ka bërë më shumë përparim në reforma se në disa vjet dhe se procesi i reformave po vazhdon me një ritëm të shpejtë.

Duke pasur parasysh këtë, mendojmë se është e domosdoshme të shfrytëzojmë mundësinë e të vendosim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën. Një vendim i tillë do ta forcojë rrugën e Bosnjës drejt BE-së dhe do ta sjellë një hap më afër në integrimin në bllok. Nëse dështojmë ta bëjmë këtë, kjo do të dobësonte rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor e do të dërgonte një sinjal negativ për gjithë rajonin, të cilit i kemi premtuar para 20 vjetësh se e ardhmja e tyre është në BE.

Bosnjë-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit 2022. Në samitin e dhjetorit 2023, BE-ja shprehu gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnjën, me disa kushte. Ndërkaq, më 12 mars të këtij viti, Komisioni Europian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën.