Aktualitet

Samiti i Bashkimit Europian/ Çfarë do të diskutojnë liderët, në fokus mbetet ende Ukraina!

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel më 26 dhe 27 tetor, në samitin që pritet të mbahet sërish në fokus lufta ruse në territoret e Ukrainës.

Ndër të tjera pritet që përfaqësuesit e vendeve të diskutojnë mbështetjen e bllokut për Kievin, sidomos pas vendimeve të disa shteteve për të mos e furnizuar më me armë Ukrainën.

Në draft-konkluzat e samitit të raportuar nga REL, liderët e 27 shteteve të BE-së po ashtu pritet të riafirmojnë mbështetjen e tyre për “pavarësinë e Ukrainës, sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe për “të drejtën e saj për vetëmbrojtje”.

Dokumenti, që nuk është final dhe duhet të miratohet nga liderët e BE-së, po ashtu riafirmon qëllimin e bllokut që të vazhdojë të ofrojë “mbështetje të fortë financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për Ukrainën dhe popullin e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Në draft-konkluzat po ashtu bëhet thirrje “për ashpërsimin e mëtejmë të sanksioneve” kundër Rusisë për shkak të agresionit dhe do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian “të përshpejtojë punën” mbi propozimet se si të ardhurat që rrjedhin drejtpërdrejtë nga asetet e palëvizshme të Rusisë, mund të drejtohen për të mbështetur Ukrainën dhe për rindërtimin e saj.

Një tjetër temë në agjendën e liderëve të BE-së do të jetë edhe rishikimi i buxhetit afatgjatë të bllokut. Komisioni Evropian po kërkon mbështetje unanime nga vendet anëtare për të rritur buxhetin para vitit të ri, veçanërisht për të vazhduar ndihmën financiare për Ukrainën.