Aktualitet

Së shpejti nis restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit!

Së shpejti, nis restaurimi për Muzeun Arkeologjik të Durrësit, objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë. Mësohet se punimet do të kryhen përmes programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

EU4Culture bën të ditur se “Pas restaurimit, Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të tërheqë më shumë turistë vendas e ndërkombëtarë, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës së komuniteteve lokale”.

UNOPS në Shqipëri fton të gjitha kompanitë e interesuara të paraqesin propozimin e tyre brenda datës 23 maj 2022. Një takim paraprak e një inspektim i sitit është i detyrueshëm dhe u planifikua të mbahet më 17 maj në Muzeun Arkeologjik në Durrës.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili në atë kohë u bë mjaft i njohur në Durrës, edhe si krijues i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 e që në muzeun e ri, vendosi koleksionin e objekteve të mbledhur me shumë kujdes e me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Tashmë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një koleksion tejet të pasur. Muzeu Arkeologjik në Durrës ka objekte nga Greqia e lashtë, periudha Romake dhe periudha mesjetare. Shumica e objekteve në muze janë gjetur në qytet edhe rastësisht nga banorë të vendit, të cilët gërmonin mjedise për vendosjen e themeleve të larta.

Në ambientet e tij gjenden mijëra objekte, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj. Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen turistëve sidomos atyre të huaj.