Aktualitet Bota

SHBA-ja njoftoi për stërvitje detare, Kina patrullon në Detin e Kinës Jugore!

Ushtria e Kinës tha të shtunën se ka kryer patrullime ajrore e detare dhe se të gjitha veprimet “të cilat pengojnë Detin e Kinës Jugore” janë nën kontroll. Duket se kjo është një përgjigje e Kinës ndaj stërvitjeve detare të Shteteve të Bashkuara me aleatë.

Shefat e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë dhe Filipineve, njoftuan të shtunën se do të mbajnë stërvitje të përbashkëta në det, për ta ruajtur sundimin e ligjit dhe të drejtën për të lundruar përmes dhe për të fluturuar mbi ujërat e këtij deti.

Kina ka mosmarrëveshje territoriale ta kamotshme me disa vende të Azisë juglindore në Detin e Kinës Jugore, i cili është rrugë shumë e rëndësishme e tregtisë. Përplasjet me Filipinet në veçanti janë rritur nga viti i kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer patrullime të përbashkëta me Filipinet si shenjë mbështetjeje për të.

Kina thotë se SHBA-ja po i nxit tensionet duke u përzier në mosmarrëveshjet e tyre.

Në një komunikatë të shkurtër, Komanda Jugore e ushtrisë kineze tha se ka organizuar patrullime dhe se “të gjitha aktivitetet ushtarake të cilat e pengojnë Detin e Kinës Jugore dhe krijojnë pika të nxehta janë nën kontroll”.

Në komunikatë nuk u përmendën Shtetet e Bashkuara, apo stërvitjet e përbashkëta.

As Shtetet e Bashkuara e aleatët e tyre nuk e përmendën Kinën në komunikatën e tyre, por këto katër vende e ritheksuan qëndrimin e vet se një vendim i arbitrazhit ndërkombëtar – i cili i zhvlerësoi pretendimet e mëdha të Kinës në Detin e Kinës Jugore – është përfundimtar dhe ligjërisht detyrues.

Rritja e tensioneve në ujërat e kontestuara pritet të jetë në krye të agjendës kur presidenti amerikan, Joe Biden, i pret homologët e vet nga Japonia dhe Filipinet në një takim në Shtëpinë e Bardhë këtë javë.