Aktualitet

Shembet një pjesë e urës në rrugën Korçë – Ersekë! Ministria e Infrastrukturës: Nuk është marrë në dorëzim nga ARRSH!

Një pjesë e rrugës së re Korçë – Ersekë, është shembur këtë fundjavë.

Sipas të dhënave, është shembur një nga urat në Lotin e dytë të rrugës, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Ky aks rrugor, me një gjatësi prej 35 kilometrash, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 65 milionë euro.

Kompania që po bën këtë investim është ANK. Punimet vazhdojnë në Lotin e dytë dhe rruga nuk është dorëzuar ende nga kontraktori, që do të thotë se është ende brenda garancisë. Megjithatë, shembje raportohen edhe në pjesën e rrugës, ku kanë përfunduar punimet dhe është dorëzuar.

Ministria e Infrastrukturës ka reaguar për shembjen në rrugën Korçë – Ersekë, duke theksuar se aksi është ende në fazë punimesh.

“Rruga nuk ka përfunduar, është në fazë punimesh, praktikisht është kantier. Përsa kohë që nuk është marrë në dorëzim nga ARRSH, kompania ka të drejtën e saj të bëjë çdo ndërhyrje qe është e nevojshme. Ajo nuk është shembje, është ndërhyrje e kompanisë për të riparuar një problem që është shfaqur. Rruga përfundon dhe merret në dorëzim pasi të jetë bërë edhe kolaudimi i saj. Deri atëherë, kompania mund të bëjë të gjitha punimet që gjykon të nevojshme”, thuhet në reagim.

Sipas ministrisë, nëse në këtë Lot të papërfunduar kanë kaluar mjete, është bërë një shkelje.

“Shpeshherë, automjetet lëvizin në rrugët e papërfunduara, për lehtësi dhe shkurtim rruge, por kjo është e paligjshme dhe e palejueshme. Ata që janë roje te kantiereve i tolerojnë, por aty nuk duhet të kalojnë automjete pasi ajo rrugë është e papërfunduar”.

Afati i përfundimit të rrugës është muaji maj i këtij viti.