Aktualitet

Shembja e banesave te “5 Maji”, përplasje me policinë!

Tensione në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku disa banorë janë përplasur sot me policinë dhe disa prej tyre u shoqëruan. Ata kundërshtojnë prishjen e banesave, të planifikuar në kuadër të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019. Madje, iu dolën përpara fadromave të IKMT-së, për të mos i lejuar të vazhdojnë me shembjen. Të lajmëruar më parë, për ta sot ishte afati i fundit që të lironin shtëpitë, por refuzojnë.

Protesta te “5 Maji” në Tiranë bashkoi në terren Partinë Demokratike. Në mbështetje të banorëve që kundërshtojnë shembjen duke u përplasur me policinë, shkuan Klevis Balliu dhe Ervin Minarolli, të dy nga Komisioni i Rithemelimit, ndërsa nga PD-ja zyrtare, deputetët Dhurata Çupi e Bledion Nallbati.

Çupi u shpreh:

430 familje po hidhen në rrugë jo për interes publik, por për të pasuruar më shumë Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Eshtë historia e pushtetit të Edi Ramës, e nisur nga 2013-ta. Mashtro njerëzit për votë dhe prishu shtëpitë pas zgjedhjeve.

Shqiptarët nuk njohin parti para shtëpisë së tyre, para jetës së tyre, para fëmijëve të tyre. Ne jemi në krah të qytetarëve sot dhe do të vazhdojmë të jemi për t’i ndihmuar për procedurat ligjore. Nuk kanë njoftim për prishjen e shtëpive, nuk kanë kontratë ku do të rrinë. Askush nuk thotë se ku do të jetojnë sot këta qytetarë që u kanë prishur shtëpitë ndërkohë. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe e papranueshme.

Balliu akuzoi Qeverinë se “ka shkelur ligjin”. Sipas tij, “shtëpitë që janë në proces legalizimi, nuk mund të shemben”.

Banorët e njësive administrative 4 dhe 8 që preken nga ky plan, do të strehohen në një bllok pallatesh që po ndërtohet te “5 Maji”, me ata, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit. Pjesa më e madhe ra dakord e nisi nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga Qeveria në shtator 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.

Sipas VKM-së, “banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re”.

Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë.

Në vendimin e Ekzekutivit thuhet:

Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje.