Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Sherri i bujshëm mes mësueseve të “Çajupit”, Ministria e Arsimit i pezullon/ Zbulohen arsyet!

Zbardhet sherri i djeshëm mes dy mësueseve të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, ku u përdorën edhe armët. Mësohet se përplasja nisi për një vend tavoline në një lokal, në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Elida Qenanaj, 46-vjeçe, mësuese Letërsie dhe kolegia Domenika Toptani, 53-vjeçe, që jep lëndën e Historisë, janë përplasur fillimisht verbalisht e më pas konflikti degjeneroi duke përfshirë familjarët e tyre.

Nga përdorimi i sendeve të forta e karrigeve, mbeti i dëmtuar shtetasi Enea Kovaçi, 32-vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Për të dhe 4 persona të tjerë, nisi hetimi në gjendje të lirë. Gjithashtu u arrestua një efektiv i Policisë Ushtarake, pasi 39-vjeçari qëlloi në ajër me pistoletë, si dhe u shpall në kërkim një 27-vjeçar.

Për ngjarjen është arrestuar Edmond Faja, pasi qëlloi në ajër me një armë zjarri pistoletë, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në hetim në gjendje të lirë janë Elton Kasaj, 30-vjeç, Enrik Qenami, 41, Enea Kovaçi, Ndriçim Qefalija, 43-vjeç, Laert Duro, 41 ndërsa u shpall në kërkim Alvaro Toptani, 27-vjeç.

Në lidhje me ngjarjen, Ministria e Arsimit pezulloi nga detyra dy mësueset Elida Qenanaj e Domenika Toptani, të përfshira në konflikt.

Menjëherë pas ngjarjes, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë. Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cënojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi!