Bota

Shkatërrohet mbi Paqësor anija kozmike që ishte nisur drejt Hënës!

Anija kozmike që nisi SHBA në hapësirë në një tentatië për t’u ulur në Hënë, la përgjysmë misionin e saj dhe u shkatërrua mbi Paqësor. Peregrine One pësoi një defekt duke shkatërruar kështu çdo perspektivë siç ishte parashikuar. Përballë një situatë të tillë, ekipi nga Toka e futi mjetin fluturues në një proces vetëshkatërrimi. Operatori privat, Astrobotic me bazë në Pittsburgh, e drejtoi anijen në atmosferën e Tokës në mënyrë që ajo të digjej.

Më pas, një stacion gjurmimi në Canberra, Australi, konfirmoi humbjen e sinjalit me Peregrine në orën 21:59. Sipas ekipit, pak ose aspak mbetje të anijes kozmike pritet që të kenë rënë në sipërfaqen e oqeanit Paqësor.

Astrobotic synonte që të dërgonte pesë instrumente të NASA-s në sipërfaqen e Hënës, për të studiuar mjedisin përpara kthimit të astronautëve, më vonë gjatë kësaj dekade. Nëse anija “Peregrine” do të ishte në gjendje të zbarkonte me sukses, do të ishte bërë misioni i parë amerikan në gjysmë shekulli që e bën këtë dhe sipërmarrja e parë private që ndërmerrte këtë iniciativë. Vetëm agjencitë qeveritare nga SHBA, Bashkimi Sovjetik, Kina dhe India kanë arritur të bëjnë ulje të kontrolluara në Hënë deri më sot.