Aktualitet

Shpërthen granata e vjetër në Prrenjas, tre të plagosur!

Një ngjarje e rëndë, me tre të plagosur ndodhi mesditën e sotme në fshatin Kakavec të Prrenjasit. Dy gra dhe një burrë mbetën të lënduar nga shpërthimi aksidental i një granate të vjetër ndërsa ishin duke punuar tokën me bel. Policia bën të ditur se ata morën dëmtime në gjymtyrët e poshtme dhe u dërguan me urgjencë në spital ku fatmirësisht janë jashtë rreziku për jetën. Në vendngjarje ishin edhe dy vëllezër, bashkëshortët e grave të plagosura, por shpëtuan pa lëndime. Vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me tre të plagosur.

Njoftimi i policisë:

Në fshatin Kakavec, Bashkia Prrenjas, rreth orës 12:00, shtetasi O.E. dhe shtetaset Y.B. dhe D.B., duke punuar tokën me bel, aksidentalisht ka shpërthyer dyshohet një granatë e vjetër dhe për pasojë, këta shtetas janë plagosur në gjymtyrët e poshtme, janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e shpërthimit të granatës, kanë qenë duke punuar edhe 2 vëllezërit, bashkëshortët e shtetaseve të mësipërme, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.