Bota

Shpërthim vullkani në Islandë, një zonë e banuar në rrezik!

Një vullkan ka shpërthyer në jugperëndim të Islandës për herë të dytë në më pak se një muaj, duke lëshuar lavë në drejtim të një zone të banuar aty pranë. Shpërthimi ndodhi sot pak para orës 08:00 të mëngjesit, pas një sërë tërmetesh në afërsi të qytetit Grindavik, siç njoftoi Zyra Meteorologjike e Islandës.

Banorët e këtij vendi u evakuan dhe këtë e raportoi televizioni islandez RUV.

Lava po rrjedh disa qindra metra në veri të vendit, pra 400 deri në 500 metra, tha Kristin Jonsdottir nga Zyra Meteorologjike e Islandës për televizionin RUV. Lava po rrjedh drejt Grindavikut.

Banorët e Grindavikut ishin evakuar nga shtëpitë e tyre edhe nëntorin e kaluar e nuk ishin kthyer në qytet për gjashtë javë, pas një sërë tërmetesh dhe shpërthimit të një vullkani që pasoi. Ata u kthyen më 22 dhjetor 2023.

Qyteti me 3.800 banorë në afërsi të aeroportit kryesor të Islandës u evakua më 10 nëntor kur një sërë tërmetesh shkaktuan çarje të tokës mes Grindavikut e Sylingarfellit, një qytet i vogël mes bjeshkëve në veri.

Prej atëherë janë ndërtuar mure mbrojtëse përreth vullkanit me shpresën e devijimit të magmës larg vendbanimit. Por, muret e ndërtuara në veri të Grindavikut janë rrëzuar dhe lava po lëviz në drejtim të qytetit, bëri të ditur shërbimi meteorologjik.

Në Islandë ndodh shpërthimi i një vullkani çdo katër-pesë vjet mesatarisht. Në vitin 2010 ndodhi shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull, më i madhi në vitet e fundit, duke lëshuar re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore në Europë.