Bota

Shpërthimi në hotelin Saratoga në Havanë, 22 viktima!

Të paktën 22 persona mbetën të vrarë dhe më shumë se 60 u plagosën, nga shpërthimi tronditës në njërin prej hoteleve më luksozë të Havanës, në Kubë. Dyshohet se shkak u bë rrjedhja e gazit në një autocisternë të parkuar jashtë hotelit Saratoga në Havanën e Vjetër.

Nga shpërthimi i fortë i një dite më parë u shkatërruan disa prej pesë kateve të ndërtesës historike, që po bëhej gati të rihapej në pak ditë, për të parën herë pas vënies nën kontroll të pandemisë koronavirus. Por, tashmë është kthyer në grumbull gërmadhash e asgjë nuk ka mbetur nga fasada.

Aktualisht, vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për njerëz që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Burime zyrtare në Kubë konfirmuan se mes 22 viktimave ishin edhe një fëmijë e një grua shtatëzënë. Të lënduarit u transportuan me urgjencë për në spitalet më të afërta, për të marrë mjekim të specializuar.

Një banore e identifikuar si Yazira de la Caridad, e cila jeton në afërsi të hotelit, tregoi për CBS News se fillimisht mendoi se “shpërthimi mund të ishte tërmet”, nisur nga fuqia e tij. Më tej, të tjerë dëshmitarë iu thanë mediave se panë tymin e zi duke dalë nga objekti në flakë, pak pas shpërthimit.

Fatmirësisht, godina e një shkolle, e cila gjendet në pjesën e pasme të hotelit, nuk pësoi dëme dhe autoritetet lokale konfirmuan se të gjithë fëmijët u evakuan në kohë.

Ndërkohë, presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, vendosi të vizitojë zonën rreth hotelit për t’u njohur nga afër me pasojat. Diaz-Canel deklaroi:

Nuk ishte bombë apo sulm terrorist, por një aksident fatkeq!

Kjo ngjarje e rëndë aksidentale shënon një goditje të fortë për sektorin e turizmit në Kubë që po jep shenja rimëkëmbjeje pas kufizimeve në dy vite pandemi COVID-19. Hotelin Saratoga, të shekullit 19-të e kanë vizituar personalitete të famshme botërore që kanë vizituar Kubën, përfshirë artistë të famshëm si Madonna, Beyonce e Mick Jagger.