Aktualitet

Shqipëria përfundoi kryesimin e Këshillit të Sigurimit në OKB, Besnik Mustafaj: “U përballua me dinjitet një problematikë…”!

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka përgëzuar trupin diplomatik të vendit tonë pas mbylljes së mandatit zyrtar të Shqipërisë në kryesimin e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Ai theksoi se ekipi përballoi me dinjitet një problematikë, për të cilën diplomacia shqiptare nuk kishte asnjë përvojë.

Përfundimi i mandatit dy vjeçar të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit më jep rastin t’u përcjell përgëzimet e mia të sinqerta gjithë trupit diplomatik të Republikës së Shqipërisë dhe posaçërisht ekipit të misionit tonë në New York, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë përballuar me dinjitet një problematikë, për të cilën diplomacia jonë nuk kishte asnjë përvojë. Ky rast i çon kujtimet e mia në vitin 2006, kur, me bashkëpunëtorët e mi, të mbështetur edhe nga Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, vendosëm ta paraqesim kandidaturën e Shqipërisë për vendin e anëtarit  jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe filluam takimet formale dhe jo formale për të siguruar votat e nevojshme. Ja dolëm.

Më tej, ai shtoi:

Ishte hera e parë që një ekip politik në qeverisje ndërtonte një projekt, të cilin do ta trashëgonin si frut të pjekur gati për t’u vjelë dhe do ta zbatonin të tjerë njerëz. Të paktën kjo ishte bindja ime e plotë. Unë e shihja vendimin tonë si shenjë të pjekurisë së re, në të cilën po hynte klasa politike shqiptare. Dhe kjo bindje më frymëzonte. Vazhdoj të besoj se kam bërë gjënë e duhur.