Aktualitet

Shtohet fondi për fatkeqësitë natyrore/ Më shumë para’ në buxhetin e ri!

Ndërsa ndryshimet e klimës sa vijnë e shpeshtohen dhe jemi dëshmitarë të tyre, për të përballuar fatkeqësitë natyrore, buxheti i vitit 2024 do të rritet. Në total për fatkeqësitë natyrore dhe digat për vitin 2024 planifikohen të shpërndahen 2.5 miliardë lekë nga 2 miliardë lekë që është fondi i parashikuar për këtë vit. Emergjencat Civile do të marrin 5.3 miliardë lekë në vitin 2024 nga 4.3 miliardë lekë i parashikuar për këtë vit.

Fondet për programin e Emergjencave Civile,  janë pjesë e buxhetit të parashikuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Nga ky fond, 800 milion lekë do të shpërndahen për njësitë vendore, në bazë madhësisë së bashkive, si dhe do të përdoren për fatkeqësitë natyrore, por bashkitë janë të detyruara ligjërisht që një pjesë tjetër nga të ardhurat e tyre, ta përdorin për emergjencat.

Në buxhetin e emergjencave janë 1 miliardë lekë që do të përdoren për projekte për të parandaluar fatkeqësitë natyrore si zjarre, përmbytje e tërmete. Për të përfituar nga ky fond, bashkitë duhet të aplikojnë nga nëntori i këtij viti deri më 31 janar 2024, ndërsa fituesit shpallen brenda 15 shkurtit të vitit që vjen. Vlerësimi i projekteve bëhet nga Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore.

Më pas, po në këtë program janë 500 milion lekë do të përdoren për financimin e projekteve për digat dhe 200 milion lekë që do të shpenzohet për eliminimin e pasojave në rastet e fatkeqësive natyrore, kur shpenzimi ka natyrën e investimit. Ky fond shpërndahet gjatë vitit, në bazë të kërkesës bashkive, sipas rasteve të ndodhjes së fatkeqësisë.