Aktualitet

Ministri Mete: Këtë vit arrihet paga 900 euro për sektorin publik!

Sot në Kuvend, ministri i Financave, Ervin Mete, tha se Akti Normativ për ndryshime në Buxhetin e vitit 2024, reflekton ato të nevojshme në kuadër të riorganizimit të ministrive. Gjithashtu,  realizon disa ndryshime sa u përket të ardhurave dhe shpenzimeve, për të reflektuar rritje të të ardhurave dhe optimizim të shpenzimeve, në të njëjtën kohë, duke ulur defiçitin buxhetor.

Ministri Mete tha se ekonomia ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë vitit të kaluar dhe shtoi se kjo ecuri e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024.

Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, ka arritur nivele të larta historike. Gjithashtu, tregues të tjerë të konsumit e investimeve sugjerojnë rritje të përshpejtuar. Gjatë vitit 2023, rishikuam në rritje projeksionet për rritjen reale të vitit 2023 në 3.5% nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar, konfirmuar kjo edhe nga Banka Botërore e FMN, që po ashtu rishikuan në rritje parashikimet e tyre për ekonominë gjatë vitit 2023. Ecuria e mirë e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës. Punësimi shënoi rritje, ndërsa shkalla e papunësisë në fund të vitit 2023 zbriti në 10.7%, një nga normat më të ulëta historike.

Mete shtoi se edhe inflacioni ka qenë më i ulët se në vendet e rajonit apo mesatarja e Bashkimit Europian duke zbritur në nivelin 2.6%, muajin e kaluar. Po ashtu, në vitin 2023, ekonomia e vendit ka regjistruar për herë të parë një sufiçit të llogarisë korente dhe pritshmëritë janë për një përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me trendet historike. Kjo, ndikuar edhe nga rritja e jashtëzakonshme e turizmit, si edhe investimeve të huaja direkte.

Konsolidimi fiskal shënoi një tjetër arritje pozitive. Borxhi Publik, një tregues kyç i qëndrueshmërisë së financave publike, ra poshtë nivelit 60% të PBB-së, duke arritur në 59.2% në fund të vitit 2023, niveli më i ulët që nga 2010-ta. Ky përmirësim, përveçse ul koston e huamarrjes, rrit sigurinë e vendit për përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen.

Përmirësim të ndjeshëm shënoi edhe skema e pensioneve, ku të ardhurat kontributive arritën në 134 miliardë lekë në vitin 2023, dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës së vitit 2015. Konkretisht, defiçiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8% të PBB-së në vitin 2023, që rezulton edhe niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga 1.93% e PBB-së që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve.

Kjo performancë e mire po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024, ku sipas të dhënave për periudhën Janar-Shkurt, të ardhurat totale arritën në rreth 104 miliardë lekë, ose 4.9% mbi planin.

Me Aktin Normativ të prezantuar sot janë rishikuar në rritje të ardhurat për vitin 2024, duke arritur në 28.2% e PBB-së, që përbën nivelin më të lartë historik të synuar. Sa i përket shpenzimeve publike për vitin 2023, ato arritën afro 675 miliardë lekë, me një realizim 95.6% sipas planit vjetor të ndryshuar me aktin normativ të dhjetorit.

Pjesë e rëndësishme e këtij Akti Normativ është mbështetja përmes Instrumentit të Garancisë Shtetërore, në vlerë prej 4 miliardë lekësh për bizneset e sektorit të industrisë përpunuese fason. Ministri Mete informoi se Buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024, të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 eurosh në muaj. Më tej theksoi se brenda muajit të ardhshëm do të detajohen vendimet për të specifikuar rritjen e parashikuar të pagave për punonjësit e sektorit publik.

Po ashtu, në buxhetin 2024 do të realizohet indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për 717 mijë pensionistë. Sektorët e Arsimit dhe Shëndetësisë do të vijojnë të financohen në nivelin mbi 3% të PBB-së. Ndërsa për sektorin e Mbrojtjes, për herë të parë arrihet objektivi i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së.