Aktualitet

Shtyhet sërish seanca gjyqësore e inceneratorit të Elbasanit, shkak mosnjoftimi i të pandehurës!

Seanca gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit, e cila do të mbahej sot, është shtyrë më 20 prill.

Shkak është bërë mungesa e njoftimit zyrtar të të pandehurës Jonida Zeqos, e cila ka qenë anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, njëkohësisht ndodhet në arrest shtëpie.

Në një përgjigje të dorëzuar në Gjykatën e Posaçme policia nuk ia ka dalë të gjejë adresën e saj për ta njoftuar për nisjen e procesit në themel.

Për këtë arsye Gjykata është tërhequr në Dhomën e Këshillimit për të shprehur një vendimmarrje të ndërmjetme.

Avokati mbrojtës Saimir Visha këmbënguli se ka një lapsus në adresë për këtë arsye duhet korrigjuar për tu njoftuar.

Prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan shtyrjen e seancës për njoftimin zyrtar të Zeqos dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për personat e arrestuar.

Kjo është seanca e dytë themelore që shtyhet, pasi seanca e mëparshme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për inceneratorin e Elbasanit nuk u zhvillua, për shkak se mungonin avokatët.

Avokati i Etleva Kondit dhe avokati i kompanisë “Albtek Energi shpk” nuk ishin të pranishëm në senacë.

Prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit të të pandehurve pasi ata u bënë shkak për shtyrjen e seancës.

Në proces, janë në akuzë 10 ish-zyrtarë dhe dy kompani, me dyshimet për korrupsion aktiv, shpërdorim të detyrës dhe pastrimit të parave.

Midis të akuzuarve, të dorëzuar nga SPAK për inceneratorin e Elbasanit, është edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili në fakt nuk është i akuzuar vetëm për inceneratorin e Elbasanit, por edhe për inceneratorin e Fierit.

Po ashtu, nën hetim është ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit Alqi Bllako, së bashku me nëpunës dhe anëtarë të KVO-së, të cilët kanë firmosu sa i takon dhënies me koncesion për inceneratorin e Elbasanit.