Aktualitet

Shuhet poeti e kineasti Petrit Ruka!

U nda nga jeta në moshën 67-vjeçare poeti dhe kineasti Petrit Ruka. Prej një viti Ruka, vuante nga një problem në zemër e fatkeqësisht nuk mundi të fitojë betejën me sëmundjen.

I lindur në Tepelenë më 21 gusht 1954, kreu studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe ato pas-universitare pёr dramaturgji filmike, nё vitet 1985- 1986. Përveçse poet ka punuar si skenarist e regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, si dhe në Alba Film Studio.

I nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, e theksonte shpesh ndikimin e fëmijërisë në poezinë e tij.

Petrit Ruka u bë i njohur me vëllimin poetik “Atdheu fillon tek zemra”, me të cilin fitoi çmim kombëtar në vitin 1983. Më tej, botoi mbi 10 vëllime me poezi e realizoi disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi.

Botime të Petrit Rukës:

1. “ Rinia ime” vёllim, poezi, 1978.
2. “ Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983
3. “ Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990
4. “ Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000.
5. “ Në zemër bie shi…” vёllim, poezi, 2003
6. “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008
7. “Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009

Mbi 30 realizime kinematografike mbajnë firmën e Rukës si skenarist e regjisor.

Për ta kujtuar sot në ditën e ndarjes nga jeta, publicisti Pëllumb Kulla publikoi një poezi të Rukës dhe e përshkruan si “poet të pazëvendësueshëm”.

Këtë ditë të trishtë, ditën e parë pa Petrit Rukën, dua ta ndriçoj sado pak me këtë poezi të tij, që e shënon “me hua nga populli”. Dhe të gjithë e dijmë si ia pat kthyer huatë popullit, ai poet i pazëvendësueshëm!

KAM NJË LËMSH NË ZEMËR

Kam një lëmsh në zemër,
E s’di kujt t’i rënkohem,
T’ju rënkohem maleve,
Zënë e më largohen,
Mjegull vënë përpara,
Sytë më qorrohen…

T’ju rënkohem grave,
Gratë zbukurohen,
Tek vitet e mia,
Këmbët u pengohen,
Në prag të mëshirës,
Zemrat u ngat’rrohen…

T’ju ankohem këngëve,
Këngët hidhërohen,
Sa shtrohen mbi letër,
Zënë e vjetërohen,
S’i plakat në dimër,
Nxijnë dhe sterrohen…

T’ju rënkohem shokëve,
Shokët më rrallohen,
Të gjithë ndrrojnë adresat,
Në varreza shtohen.
O ky lëmsh në zemër,
E di, … që do helmohem…

T’i ankohem zemrës,
Lëmshi më zmadhohet,
Si qebap kafeje,
Mbi zjarr rrotullohet.

T’i ankohem vdekjes,
Veç ajo gëzohet,
Si vejushë e djegur,
Zë e më afrohet,
Me mua të gjorin,
Vdes që të martohet…
Kam një lëmsh në zemër,
Po kujt i besohet?!…

Nëntorin e kaluar, poeti u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e veçantë me anë të krijimtarisë poetike, me poezitë e të cilit përjetohen motivet e Shqipërisë së dikurshme e të kohës moderne. Për krijimtarinë poetike, që një gjymtyrë e ka të zhytur në traditën polifonike dhe tjetrën në poezinë e kultivuar, vargu i të cilit prehet tek tradita dhe pikëtakimi me bashkëkohësinë.

Në ceremoninë e zhvilluar më 4 nëntor 2020 ishte edhe Kryeministri Rama, i cili mbajti një fjalim ku ndër të tjera u shpreh:

Petrit Ruka është një poet, shkrimtar, skenarist, një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës e të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar a vetëkrijuar! Eshtë autori më i gabuar për t’u bërë i famshëm por jam i bindur që është një ndër ata autorë që do të jenë aty për gjenerata e gjenerata e kur të famshmëve do u jetë harruar emri do u jenë harruar veprat e patjetër që do u jetë tretur dhe fama.