Bota

Silvio Berlusconi në spital, natë e qetë për ish-kryeministrin italian!

Gjendje shëndetësore komplekse, por e qëndrueshme për ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, i shtruar në spital nga dje, në San Raffaele.  Nata kaloi pa zhvillime dhe për drejtuesin e Forza Italia-s burime spitalore thonë se po vazhdon terapinë intensive që oksigjeni të rikthehet në nivelet e duhura. Mungesa e oksigjenit ka krijuar probleme në rrugët kardiovaskulare e të frymëmarrjes që rrezikojnë të sjellin infeksione, përfshirë pneumoninë. Ato mund të ndërlikojnë gjendjen e përgjithshme.

Tajani: Natë e qetë, shpresojmë të kthehet në krye të partisë, Forza Italia

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani shtoi se “Berlusconi kaloi një natë të qetë”.

Sot në mëngjes fola me profesor Zangrillon. Berlusconi kaloi një natë të qetë dhe parametrat shëndetësorë paraqiten të qëndrueshëm. Mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me familjen, fëmijët dhe Marta Fascina-n (partnerja e Berlusconit prej vitit 2020).

Për Forza Italia-n, mënyra më e mirë për t’i qëndruar pranë është të punojë e të angazhohet në funksion të zgjedhjeve lokale dhe europiane, duke dhënë maksimumin. Tani shpresojmë që ai të kthehet në drejtimin e partisë. Herë të tjera kemi qenë të shqetësuar si p.sh. për ndërhyrjen në zemër. Kushedi se çfarë mund të kishte ndodhur.

Duam të jemi optimist, ai nuk dorëzohet kurrë. Drejtimi i tij në Forza Italia, asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje. Ka vetëm një lider, nuk ka fraksione e shefa. Deri parmbrëmë Silvio Berlusconi punoi aktivisht edhe për riorganizimin e partisë në bazë territori. Ai bëri disa zgjedhje për organizimin, në mënyrë që të jepte një nxitje për ne.

Mësohet se sot bisedoi në telefon me drejtuesin e Forza Italia-s. Burime të pakonfirmuara zyrtarisht thonë se u diagnostikua me leuçemi e nisi kimioterapinë.

Shtrimi në spital dhe vizitat familjare

Lideri i Forza Italia-s u paraqit dje në spital, i shoqëruar nga partnerja e tij, njëherazi deputete e Forza Italia-s, Marta Fascina, pasi kishte probleme të frymëmarrjes. Pas shtrimit në spital, familja e vizitoi 86-vjeçarin. Dje pasdite shkuan edhe fëmijët e ish-shefit të qeverisë së Romës, si dhe vëllai Paolo.