Aktualitet

Sot skadon afati i lënë nga pedagogët, Rama i prerë kundër rritjes së pagave!

Kryeministri Rama la të kuptohet se nuk do të ketë plotësim të kërkesave të pedagogëve, që përfshijnë edhe rritjen e pagave, ndërsa qeverisë i lanë afat deri në orën 16:00 për plotësimin e tyre, në të kundërt hyjnë në grevë. Gjatë përurimit të shkollës “Klodian Tanushi” në Qesarakë, deklaroi:

Jemi këtu për  të kremtuar një dëshmor, për të kremtuar një mesazh kuptimplotë të dikujt që dha jetën për atdheun, ndërsa sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë më e madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si, i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën do të hyjnë në grevë urie.

Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre, të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak se SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie.

Greva e urisë është një institucion shumë i lartë, përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit. Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut e kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë: “nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”.

Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë.

Ashtu sikundër edhe një herë e përsëris, shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe s’kanë si të jenë këta, se nëse do të ishin këta, atëherë do të ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh se inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica dhe më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali, i cili pagën e kishte më të ulët se SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën.